Macron paralajmëron armëpushim në Ukrainë: Bisedova me Trumpin…

Pasi i kërkoi në konferencën e përbashkët për shtyp që të mos i dorëzonte Ukrainën Rusisë, në një intervistë për “Fox News” presidenti francez, Emmanuel Macron, u shpreh se shumë shpejt mund të ketë një armëpushim të luftës në Europën Lindore.
Kreu i Elizesë rrëfeu se së shpejti do të ketë një takim mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymir Zelensky, duke sinjalizuar kështu se i kishte kërkuar Trumpit që mos ta linte jashtë tryezës së bisedimeve të paqes në Ukrainë dhe Europë.
“Për mendimin tim rruga drejt paqes duhet të jetë e tillë. SHBA negocion me Rusinë dhe SHBA negocion me Ukrainën. Presdenti Trump shprehu vullnetin e tij sot për tu takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përgjatë javëve në vijim. Takimi me Zelenskyn është më i rëndësishmi. Më pas duhet të kemi një armëpushim.
Kjo mund të arrihet shumë shpejt në javët në vijim. Nëse ky armëpushim nuk zbatohet do të jetë shumë e qartë se Rusia nuk është serioze dhe nuk po kërkon paqe. Kohën e armëpushimit e përdorim për negociata sa i përket garancive të sigurisë, territorit që është përgjegjësi e presidentit Zelensky si dhe për rindërtimin. Le të bëhet marrëveshja SHBA – Ukrainë për mineralet se kjo tregon që Washingtoni do të jetë i angazhuar ndaj sovranitetit të Ukrainës. Pas gjithë kësaj kemi një traktat paqeje dhe një marrëveshje.
Kreu i Elizesë tha se ishte vetëftuar në Washington për t’i prezantuar Donald Trumpit atë që u quajt “Plani britaniko-francez për garancitë e Sigurisë mbi Ukrainën”.
“Nuk ka unanimitet për Ukrainën në NATO, por kjo s’do të thotë që duhet ta braktisim atë. Do të ndalemi te garancitë e sigurisë që mund të jenë forcimi i ushtrisë ukrainase. Nëse kjo nuk mjafton, Franca dhe Britania kanë një mision për të vënë trupa paqeruajtës në Ukrainë. Por, gjithmonë do të na duhet edhe mbështetja e SHBA-së nga pas.”
Emmanuel Macron u shpreh përgjatë intervistës se ajo çfarë Ukraina ka arritur në këto vite është e pabesueshme, sa i përket luftës që ka bërë për të mbrojtur territorin e saj. Kreu i shtetit francez deklaroi se askush nuk duhet të braktisë udhëheqjen ukrainase, por duhet ta ndihmojë atë që të arrijë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Nder të tjera, kreu i Elizesë tha se kishte biseduar me Trumpin mbi kërcënimet e tij për tarifa tregtare ndaj Europës.
Macroni u shpreh se ai shpreson që të ketë bindur Washingtonin se një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt.