Macron: Sulmet izraelite në spitalin e Gazës janë të patolerueshme

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se sulmet izraelite ndaj një spitali në Gaza që shkaktuan vdekjen e civilëve dhe gazetarëve ishin “të patolerueshme”.
Sipas mediave të huaja, Macron tha në rrjetin social ‘X’ se Izraeli duhet të “respektojë ligjin ndërkombëtar” dhe se Franca po punonte ngushtë me Katarin në lidhje me situatën në Gaza.
“Kjo është e patolerueshme: civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen në të gjitha rrethanat”, tha Macron.
“Media duhet të jetë në gjendje të kryejë misionin e saj lirisht dhe në mënyrë të pavarur për të raportuar mbi realitetin e konfliktit. Ndihma humanitare duhet të lejohet”, shtoi ai më tej.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar”, vijoi Presidenti francez, shkruan A2 CNN.
Macron përsëriti thirrjet për një “armëpushim të përhershëm”, lirimin e të gjithë pengjeve, “shpërndarjen masive të ndihmës humanitare” dhe një “zgjidhje politike të qëndrueshme”, përfshirë çarmatimin e Hamasit.