07:48 / E Mërkurë, 05 Janar 2022 / OSH

Macron thotë se do vazhdojë t’ua “nxisë” jetën të pavaksinuarve

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka nxitur reagime të shumta pasi tha se strategjia e vaksinimit të qeverisë së tij është të “zemrojë” njerëzit që nuk kanë marrë injeksione kundër koronavirusit duke vazhduar t’ua bëjë jetën e përditshme gjithnjë e më të vështirë.

“Unë nuk jam për të zemëruar popullin francez. Por sa i përket të pavaksinuarve, dua shumë t’i zemëroj. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, deri në fund. Kjo është strategjia”, tha Macron.

Parlamenti francez debatoi legjislacionin e ri, që nëse miratohet, do të thotë se vetëm të vaksinuarit plotësisht – do të kualifikohen për lejen shëndetësore të vendit nga muaji i ardhshëm.

Leja, e prezantuar këtë verë, kërkohet në Francë për akses në vende publike të brendshme si kafene, restorante, kinema, muze, vende koncertesh dhe qendra sportive, si dhe për të hipur në trena dhe aeroplanë në distanca të gjata.

“Në një demokraci, armiqtë më të këqij janë gënjeshtra dhe marrëzia. Ne po ushtrojmë presion mbi të pavaksinuarit duke kufizuar, sa më shumë që të jetë e mundur aksesin e tyre në aktivitete në jetën shoqërore”, u shpreh presidenti.

“Franca ka vaksinuar pothuajse 90 përqind të popullsisë së saj që kanë të drejtë, dhe ishte vetëm një pakicë shumë e vogël që po rezistonte. Si ta pakësojmë këtë pakicë? Ne e zvogëlojmë atë – më falni për shprehjen – duke i zemëruar edhe më shumë”,

Kundërshtarët politikë të Macron e akuzuan presidentin për gjuhë të tepruar, raporton Guardian.

“Asnjë emergjencë shëndetësore nuk justifikon fjalë të tilla”, tha Bruno Retailleau, kreu i republikanëve të krahut të djathtë në Senat.

Marine Le Pen, udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë, tha se një president nuk duhet të thotë gjëra të tilla, duke shtuar se gjuha nuk është e denjë për detyrën dhe se Macron po i kthente të pavaksinuarit në qytetarë të klasit të dytë.