75 Mall Live Search
12:47 / E Enjte, 27 Nëntor 2025 / P M

“Made in Kosova” – Kurti: Ndërtimi i fabrikës së municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se fabrika e municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm.

Këtë deklaratë, ai e bëri para kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, ku theksoi se me vendimin e sotëm për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës, do të hapet rruga për ndërtimin e fabrikës së municioneve.

Kurti tha se ky miratimi i këtij vendimi do të bëhet në mbledhjen e sotme, pikërisht në Ditën e Forcës.

“Është kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme, shoqërore të KBI Ereniku për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës. Me miratimin e saj, hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rris sigurinë tonë dhe do t’i ngris edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës”, deklaroi Kurti.

“Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarak dhe civil ‘Made in Kosova’.

Kurti tha se gjatë këtij mandati kanë katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ushtria është pajisur me sisteme të reja dhe moderne të armatimit nga shtete anëtare të NATO-s.

Tutje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se në mandatin e tij të radhës do të investohen 1 miliard euro në mbrojtje.

“Mbi 430 milionë euro blerje të armatimit në mandatin e parë janë shënuar. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje. Duke rritur ushtrinë e sigurojmë republikën, duke rritur FSK-në e forcojmë partneritetin me aleatët, urime të gjithëve Dita e Forcës”, përfundoi Kurti.