14:38 / E Enjte, 07 Maj 2020 / indeksADMonline

Mafia italiane në aksion – Pas krizës, miliona euro me tenderat e koronavirusit

Mafia Italiane ka gjetur mënyra se si të përfitojë nga pandemia e koronavirusit dhe nga rënia ekonomike që po ndodh. Që nga ofrimi i parave me fajde deri tek investimet e reja në biznese, mafia është e vendosur të shfrytëzojë të prekurit me corona në Itali

Kjo nuk është hera e parë që familjet mafioze përfitojnë nga mundësi të lehta biznesi. Në 1980, një tërmet goditi Napolin dhe rajonin e Campanias, duke vrarë gati 2.700 njerëz. Krahu Napolitan i mafies, Kamorra, shpejt zhvilloi ndërmarrjen e vet të ndërtimit dhe siguroi pjesën më të madhe të tenderave të rindërtimit.

Në vitin 2009, ish drejtori i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Antonio Maria Costa, tha se kishte prova që paratë nga organizatat kriminale kishin qenë i vetmi kapital i investimeve likuide të përdorura nga bankat italiane, gjatë krizës financiare.

Tani, më shumë se një dekadë më vonë, në një artikull të botuar në La Repubblica në Mars, gazetari Roberto Saviano paralajmëron se kriza e koronavirusit i ofron mafies “një mundësi fitimprurëse”.

Në fillim të muajit prill, policia italiane kapi gjysmë milioni euro para cash, të fshehura në një furgon që po drejtohej nga njerëz të lidhur me krahun kalabrez të mafies, të quajtur ‘Ndrangheta. Furgoni po vinte nga Evropa Lindore, kur u ndalua në kufirin verior të Italisë, sipas gazetës “Il Fatto Quotidiano”.

“Ky është një rast shumë i rëndësishëm. Në përgjithësi, shumë drogë është kapur, por rrallëherë para, dhe madje më rrallë kemi kapur para që janë ruajtur jashtë dhe pastaj janë riatdhesuar në Itali”, transmeton bota.

Përballë një rritje dramatike të varfërisë te njerëzit, qeveria italiane njoftoi shpërndarjen e 400 milion eurove në kupona për pazar. Në të njëjtën kohë, autoritetet dhe disa media njoftuan se grupet mafioze filluan shpërndarjen e shportave të tyre të ushqimit, për familjet që përballen me vështirësi financiare.

Disa e konsideruan këtë si një strategji të rekrutimit dhe të një konsensusi shoqëror. Në qarkun e Palermos, vëllai i kreut të Cosa Nostras, Giuseppe Cusimano, u pa duke shpërndarë ushqime përmes një qendre bamirësie.

Statistikat e publikuara nga Ministria e Brendshme në fund të muajit prill treguan një rënie të krimit prej 66% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, një shifër tjetër ishte në rritje: huazimi i parave u rrit me 9.1%. Sipas Amedeo Scaramellas, i organizatës San Giuseppe Foundation Moscato, e cila lufton kundër kredive të tilla, mafia bllokon huamarrësit duke e rritur më pas interesin deri në 300%.

Pas krizës vijnë tenderat e koronës …

Ekspertët bien dakord për një pikë: organizatat kriminale të Italisë do të përfitojnë më shumë nga rimëkëmbja. “Duke shpërndarë shporta ushqimesh dhe duke gjetur një mënyrë për të hyrë në shtëpitë e familjeve të varfëra, mafia nuk po kërkon thjesht të të rekrutojë. Po u jep edhe udhëzime njerëzve se si duhet të votojnë, dhe këto do të respektohen të paktën pjesërisht,” thotë Rizzoli.

Në këtë mënyrë, mafia forcon aktivitetin e saj kryesor: sigurimin e tenderëve. “Sapo të ketë shpallje për tendera në sektorin e ndërtimeve dhe punëve publike, të paktën në jug të Italisë, mafia përpiqet t’i fitojë ato përmes kompanive të veta ligjore”, tha Champeyrache.

Sipas Savianos, organizatat kriminale italiane gjithashtu do të përfitojnë nga sektorët e falimentuar për të investuar në tregje të reja. “Kush mund të blejë vendpushimet turistike në Côte d’Azur ose Costa del Sol që janë shkatërruar nga kriza e turizmit në vitin 2020?” pyet ai me ironi./