09:54 / E Enjte, 21 Janar 2021 / Blerim

Maliqi për sloganin e VV-së: Diskursi drejt e krejt ka gjasa të bëhet mjet propagandues totalitar…

Lëvizja Vetëvendosje, dje ka prezantuar sloganin e zgjedhjeve të parlamentare të 14 shkurtit.

“Krejt e drejt”, është thirrja, mesazhi që partia e udhëhequr nga Albin Kurti, i cili është kandidat për kryeministër ka zgjedhur t’i futet garës, transmeton Indeksonline.

Por, njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, përmes një postimi të publikuar në rrjetin social FB, ka komentuar sloganin e VV-së.

Ai ndër të tjera ka thënë se tani që kanë avancuar më votën dhe me V. O. pretendojnë se janë bërë mazhorancë ende pa u mbajtur zgjedhjet, diskursi drejt e krejt ka gjasa të bëhet mjet propagandues totalitar që synon heshtjen e çdo opozitë, po tash jo sipas modelit leninist.

Ky është postimi i plotë i tij:

Edhe kur kanë qenë pjesë, njëra nga partitë jo mazhoritare të spektrit ose të tepsisë elektorale, LVV-ja ka pretenduar se ajo përfaqëson drejt e krejt interesat e popullit, kjo sipas logjikës avangardiste bolsheviko leniniste. Tani që kanë avancuar më votën dhe me V. O. pretendojnë se janë bërë mazhorancë ende pa u mbajtur zgjedhjet, diskursi drejt e krejt ka gjasa të bëhet mjet propagandues totalitar që synon heshtjen e çdo opozite, po tash jo sipas modelit leninist, ai është bërë demode, sepse populli i Kosovës nuk ka treguar zell revolucionar, por paraqitet si amalgam a çorbë e ngjashme me “ideologjitë” e praktikat e sundimeve të shtetit me tipare erdoganiste (Drejt si referencë për Parti e drejtësisë) dhe putiniste (Krejt si pushtim totalitar dhe ngufatje e çdo opozite), kuptohet tani për tani në fillesat e zhvillimit… Tepsia e elektoratit ende nuk është pushtuar, ka votues që ende e prishin lojën që nuk janë me “Krejt popullin”. Këtij pretendimi se pjesa e tepsisë është krejt pepsia nuk i kanë shpetuar as LDK ja e viteve 90-të, e as partitë e tjera kur veten e paraqisnin si zërin autentik të popullit, e të tjerët si forca antipopullore e tradhtarë…

Mirë se vini në tepsitë dhe tespitë idelogjike të Absurdistanit…