Maliqi: Vjosa Osmani e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin te Kurti, përçarja do të ketë efekt, nuk e lë pa shenjë VV-në
Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, vlerëson se përçarja mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të ketë ndikim në skenën politike dhe në rezultatin e Lëvizja Vetëvendosje.
Maliqi theksoi se në vitet e fundit ka ekzistuar një “efekt Osmani” në rritjen e mbështetjes për Vetëvendosjen. Sipas tij, presidentja ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvendosjen e një pjese të elektoratit nga Lidhja Demokratike e Kosovës drejt Vetëvendosjes.
Ai kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2021, fryma e fitores ishte e përbashkët mes Kurtit dhe Osmanit, duke ndikuar që një pjesë e madhe e votuesve të LDK-së të kalonin në mbështetje të Vetëvendosjes.
“Fryma që u prodhua në vitin 2021 dhe mitologjia e asaj fitoreje ishte e përbashkët. Ishte Osmani ajo që në njëfarë forme e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin e saj te Vetëvendosja”, ka deklaruar Maliqi për REL-n.
Sipas tij, përplasja aktuale mes dy figurave kryesore të politikës në vend pritet të ketë pasoja për Vetëvendosjen.
“Një efekt do ta ketë, nuk e lë pa shenjë kjo Vetëvendosjen”, theksoi ai.
Maliqi shtoi se Osmani ka pasur rol edhe në zhvillimet më të fundit politike, duke përmendur se ajo vetë e ka pranuar publikisht se kishte përdorur institucionin e presidencës për të ndihmuar qeverisjen e Kurtit dhe fitoren në zgjedhjet e fundit.
Sipas tij, zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në riformësimin e skenës politike në vend, ndërsa zgjedhjet e parakohshme gjatë këtij viti i konsideron të pashmangshme.
“Dilema e vetme është se kur do të mbahen ato”, tha Maliqi.

