Malishevë, 225 kërkesa për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në janar
Pas vërshimeve që përfshinë Komunën e Malishevës gjatë muajit janar, institucionet komunale kanë nisur procedurat për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomi familjare, biznese dhe infrastrukturë publike.
Artan Paçarizi, zyrtari për Informim në Komunën e Malishevës, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se menjëherë pas përfundimit të situatës emergjente është aktivizuar komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve dhe se 225 kërkesa kanë qenë për dëme.
“Menjëherë me përfundimin e situatës emergjente, ose gjendjes emergjente që ka qenë në Malishevë, Kryetari i Komunës ka formuar, ose ka aktivizuar komisionin për vlerësimin e dëmeve, që është një komision i cili është i rregulluar në bazë të ligjit. Dhe fillimisht kemi pranuar kërkesat e qytetarëve deri me datën 16 janar. Kemi pranuar kërkesat e qytetarëve, ndërsa pastaj e kemi shtyrë edhe disa ditë për shkak të numrit të madh, që gjithsej janë 225 kërkesa. Dhe pas përfundimit të afatit për paraqitjen e kërkesave nga ana e qytetarëve, komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve ka dalë në terren dhe është duke bërë vlerësimin e dëmeve. Ende s’ka përfunduar si proces për shkak të numrit të madh të kërkesave dhe dëmeve që janë shkaktuar, domethënë jo vetëm nga ana e kërkesave që janë bërë nga qytetarët, nga bizneset e të tjerë, por kemi dëme edhe në infrastrukturë. Sidomos infrastrukturë rrugore, pastaj ura, diga në lumin Mirusha e të tjerë, që të gjitha këto do të grumbullohen dhe sipas ligjit dhe sipas rregullores, me përfundimin e raportit, i njëjti do të shkojë në Kuvendin e Komunës për miratim. Dhe pas miratimit në Kuvendin e Komunës, përcillet për Qeveri“, tha ai.
Sipas Paçarizit, dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë të konsiderueshme, veçanërisht në ekonomitë familjare.
“Dëmet janë të konsiderueshme. Kjo çka mund të themi tani, dëmet janë të konsiderueshme. Në ekonominë familjare ka dëmtuar, domethënë, sidomos bodrumet, ka dëmtuar pajisje shtëpiake, pajisjet elektrike që janë kryesisht, laminat e të tjerë, domethënë mobilie e të tjera, gjëra që i ka çdo familje, çdo shtëpi“, potencoi ai.
Ai theksoi se aktualisht është herët të flitet për kompensimin e dëmeve nga ana e komunës, për shkak të mungesës së fondit emergjent.
“Është pak herët të flitet për kompensim të dëmeve nga ana e komunës, për shkak se komuna nuk ka fond emergjent. Dhe kjo është një problematikë në nivel vendi, sepse asnjë komunë në Kosovë nuk ka fond emergjent për shkak se nuk është e rregulluar me ligj. Mirëpo, ne po besojmë në atë çfarë ka deklaruar Ministri Durmishi, i cili edhe publikisht e ka thënë se raportet nga dëmet nëpër komuna, aty ku ka pasur vërshime, do të shkojnë në Qeveri dhe më pas Qeveria të marrë vendim për miratimin ose kompensimin e dëmeve. Dhe ne po shpresojmë që Qeveria do ta mbajë fjalën në këtë rast dhe së paku të kompensojë një pjesë aq sa mundet, sepse sigurisht që është e vështirë të kompensohen ndoshta të gjitha dëmet, por pjesa më e madhe presim që të kompensohet“, theksoi ai.
Ndërkohë, komuna ka ndërhyrë në disa zona për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar dëme të mëtejme.
“Ne si komunë kemi ndërhyrë në disa pjesë ku është dashur t’i bëjmë rrugët të kalueshme, aty ku ka pasur dëmtime të urave, sepse i kemi në tri raste urat e dëmtuara. Rrugë të cilat është dashur të dëmtohen ose janë dëmtuar, por është dashur të dëmtohen edhe nga ana jonë për shkak të qarkullimit të ujit. Në ato kemi ndërhyrë në disa pjesë, jo të gjitha“, shtoi ai.
Ndërkaq më 6 janar, vërshimet përfshinë Malishevën si pasojë e të cilave 6 familje u evakuuan.

