Malishevë: Drejtori anulon ekskursionin në orën 21:00 për t’ia dhënë një kompanie tjetër
Vetëm pak orë para nisjes së ekskursionit të planifikuar për nesër në orën 08:00 të mëngjesit, Drejtoria e Arsimit në Malishevë ka anuluar në mënyrë të papritur udhëtimin e nxënësve të gjimnazit të qytetit.
Sipas informacioneve të siguruara nga Front Online, Drejtoria e Gjimnazit në Malishevë kishte njoftuar më herët kompaninë Sharr Travel si fituese të tenderit për organizimin e ekskursionit.
Kompania kishte kryer tashmë të gjitha përgatitjet dhe rezervimet e nevojshme në hotel “Bonita” në Durrës, ku nxënësit do të qëndronin gjatë udhëtimit.
Por, rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme, drejtori i gjimnazit Hamdi Berisha ka kontaktuar përfaqësuesit e kompanisë Sharr Travel, duke u kërkuar që të tërhiqen “vullnetarisht” nga kontrata me arsyetimin se duhet t’i jepet një kompanie tjetër ndaj së cilës kanë obligime.
Burimet bëjnë të ditur se, përveç drejtorit, edhe një person tjetër i paautorizuar ka ndërhyrë për ta bindur kompaninë Sharr Travel të tërhiqet, por pasi këta të fundit refuzuan, Drejtoria e Arsimit në Malishevë e anuloi ekskursionin disa orë para nisjes.
Front Online ka kontaktuar drejtorin e Gjimnazit, Izet Hoti, por sapo i është bërë pyetja për anulimin, ai e ka mbyllur telefonin.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Sharr Travel nuk kanë qenë të qasshëm për koment në momentin e publikimit të këtij artikulli. Ky veprim, që ndodhi në orët e vona të së premtes, ka ngritur dyshime serioze për favorizim të qëllimshëm dhe ndërhyrje të jashtëligjshme në një proces që tashmë ishte përmbyllur në mënyrë të rregullt.




