12:07 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / MSH

Malishevë, fillon dezinsektimi ndaj rriqrave

Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), sot Komuna e Malishevës, ka filluar me dezinsektimin e zonave endemike, kundër rriqrave, si bartës të virusit të EHKK-së.

Fillimin e kësaj fushate, e ka parë nga afër edhe kryetari Ekrem Kastrati dhe drejtorët e drejtorive përkatëse, përgjegjëse për realizimin e dezinfektimit.

“Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje, duke filluar nga punëtorët shëndetësor, zyrtarët përgjegjës komunal, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, ka thënë Kastrati.

Po ashtu, kryetari ka apeluar tek organet përgjegjëse shtetërore që të marrin masat e nevojshme për luftimin e EHKK-së, siç janë Këshilli Ndërministror, pastaj realizimi i repelimit të kafshëve, si masa më efektive në luftimin e EHKK-së dhe të gjitha përgjegjësitë tjera, të cilat duhet të fillojnë nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK-ja, Ministria e Bujqësisë, AUV-i, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i këtij virusi, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.