Mall i vjetër në kuti të re – Maqedonia e Veriut mes etheve zgjedhore dhe vetmisë së qytetarit në botën e partive!

Shkruan: Liridona Beqiri
Sa herë afrohen zgjedhjet, partitë na shesin ndryshim. Na shesin demagogji të mbështjellur me fije shprese. Na shesin “të rinj” që janë më të vjetër se vetë sistemi.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do jenë një garë politike ku çdo votë do kërkohet me ethe, me ngulm, me nerva te prera e pasion acarues. Një garë ku do kërkohet një votë por pa shumë dinjitet. Nga këtu, çdo ide, sado utopike dhe naïve që populli do zgjedh më të mirin, në një demokraci të brishtë si kjo e jona, “merren mësysh” kandidatët ende pa e fituar mandatin. E kur jemi te demokracia më shkoi në mëndje një thënie e Jean-Jacques Rousseaus-s që thotë: “Demokracia ekziston vetëm atje ku nuk ka asnjë aq të pasur sa të mund të blejë një të tjetër dhe asnjë aq të varfër sa të shitet.”
Kështu, me logjikë, partitë politike do investohen rëndshëm në këto zgjedhje të tensionuara lokale, një rezultat që do të determinoj dhe fatin e zgjedhjeve të parakohshme që me gjasë do i detyrohen këtij sistemi jofunksional. Zgjedhje besa të vështira. Edhe pse emrat e përfolur e më të përshtatshëm janë vendosur me kohë në ato tavolina magjike partiake, pavarsisht me ç’kritere janë përzgjedhur, atyre do ju duhet të ndërtojnë reputacionin e tyre prej liderësh lokal gjatë fushatës e jo të kërkojnë votë nën pëtkun e prijësve partiak . E shumë shpesh megalomanisë së prijësve I përgjigjet si kundërpeshë, denigrimi që ju bëhet po këtyrë prijësve pikërisht nga dështimi I të përzgjedhurve.
Sot politika në Maqedoninë e Veriut është varfëruar dhe në këtë agora të dominuar nga kompleksi i urrejtjes, partive politike mënyra e vetme për të luftuar mes vete është të shkatërrojnë njëra tjetrën përmes denoncimit, zbërthimit biografik dhe diskreditimit të politikanëve përkatës.
Nga gjithë ajo që kemi parë nga e shkuara, përgatituni për një zhurmë shurdhuese të kësaj fushate, jo për ide e ndryshim, por një paradë e njëjtë fytyrash dhe festë partiake që do tejkalojë cdo përpjestim logjik, fushatë e fryer dhe e pompuar deri në shpërthim e denatyrim, propagandë që nuk do përfaqësojë asgje lokale por vetëm shtrirje kapilare të partitokracisë, një patetikë që ofendon edhe inteligjencën minimale të votuesit. Një propagandë sterile, të shkëputur totalisht nga realiteti lokal.
Dhe ndërkohë, komunat shqiptare kanë vite që po getoizohen; të varfra, të boshatisura, të izoluara nga zhvillimi dhe nga vetë përfaqësuesit e tyre.
Shndërruar në zona të izolimit ekonomik, social e kulturor, ku infrastruktura është e përçudnuar, shërbimet publike janë të degraduara dhe rinia e ka kthyer arratisjen në strategji mbijetese. Nëse kjo është “zgjedhje”, atëherë kemi mbetur pa zgjidhje.
Një dimension tjetër që dëshmon vlerat demokratike brenda strukturave partiake, është edhe përfaqësimi gjinor, gjegjësisht pozicioni i heshtur e i margjinalizuar i grave në këto gara lokale. Partitë politike në ofertat e tyre politike, nuk ia kanë besuar asnjë gruaje legjitimitetin e garimit për të garuar në drejtimin e komunave.
Demokracia nuk është mashtrim burrash me kostum, që ndajnë pushtetin mes tyre duke e quajtur “zgjedhje”.
Nëse kuotat janë forma më aktive për promovimin e grave në politikë, atëherë pse nuk janë vendosur në raport me popullsinë dhe pse nuk janë bërë obligative në të gjitha nivelet e përfaqësimit? Sepse sistemi nuk është i verbër, është i qëllimshëm.
Kur në listë janë vetëm burra, kutia e votimit nuk është zgjedhje, është miratim i një monopoli. Pushteti që trembet nga gratë, është pushtet që meriton të rrëzohet jo të qeverisë! Dhe pushteti frikacak, nuk meriton ta mbajë askush, e aq më pak një votë.
Megjithatë, në këto zgjedhje lokale, është më e rëndësishme se kurrë që qytetari të mos jetë vetëm votues, por vëzhgues i kujdesshëm dhe të kuptojë që vota është kontratë, dhe kontrata duhet të bazohet në përgjegjësi, sepse më e rrezikshme se një pushtet i keq, është një popull që voton pa kujdes.
Ndërsa përçarjet boshe midis partive shqiptare po thellohen, ky rrezik zgjon mitin e maqedonasve për t’i fituar komunat me shumicë shqiptare, ndaj partitë shqiptare duhet urgjent të heqin dorë nga kjo eufori e egos së ngurtë dhe konflikteve të brendshme absurde. Kërçova, një qytet me rrënjë të thella shqiptare, është në një moment kritik që nuk mund të injorohet.
Betejat ndërshqiptare po dobësojnë mundësinë e lidershipit shqiptar në këtë Komunë, ndërsa ndikimi maqedonas po shtohet me hapa të sigurt, një realitet që rrezikon të shndërrojë Kërçovën në një qytet ku zëri shqiptar do të jetë i heshtur dhe i zbehtë.
Kërçova sot qëndron në një kryqëzim historik. Është koha që të tregoni se jeni vërtetë liderë, jo thjesht pretendues pushteti. Prandaj, këto zgjedhje janë koha për të bërë të vetmen zgjedhje: zgjedhjen e bashkimit dhe unitetit.