75 Mall Live Search
14:59 / E Mërkurë, 16 Prill 2025 / mp

Malli për nënën i djeg shpirtin/ Vajza 9 vjeçare e Gjyljeta Ukellit i shkruan letra dhe i vendos mbi varr në një kavanoz!

Në një ditë të rënduar nga dhimbja dhe mungesa, tre fëmijët e Gjyljeta Ukellit – Paulina, Tara dhe Gerdi qëndruan pranë varrit të nënës së tyre, një vit pas tragjedisë që ua rrëmbeu atë përjetë.

Prania e tyre sot, në këtë përvjetor të hidhur, ishte dëshmia më e fortë e një dhembjeje që fjalët nuk e përshkruajnë dot.

Mes tyre ishte edhe Tara, vajza 9-vjeçare, e cila gjatë gjithë këtij viti ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të qëndruar pranë nënës së saj – një kavanoz që e kishte vendosur pranë varrit që në fillim, e të cilin e ka mbushur herë pas here me letra e mesazhe të shkruara me dorën e saj të vogël.

Në ato letra, Tara i ka folur nënës së saj për mallin, për dashurinë që i mungon, për ditët pa të, për përqafimet që s’i merr më.

Çdo letër është një copë dhimbjeje, një copë zemre fëmije që përpiqet të mbajë gjallë lidhjen me të ëmën, përmes fjalëve që kurrë nuk u thanë me zë. Në këtë përvjetor, përveç fëmijëve, ishin të pranishëm edhe familjarë e të afërm, që kujtuan Gjyljetën me lot dhe mall.

Gjyljeta u vra nga bashkëshorti i saj vitin e kaluar. Ky i fundit po vuan dënimin e përjetshëm në Burgun e Sigurisë së Lartë./IndeksOnline/