13:03 / E Enjte, 29 Dhjetor 2022 / mp

Maloku i kundërpërgjigjet pushtetit për linçimet ndaj sistemit të drejtësisë

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku ka komentuar lirimin në arrest shtëpiak të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.

Ai u pyet se si e sheh që Pantiq nuk u arrit të transferohej në Prishtinë, pas kërkesës së prokurorit të rastit. Sipas tij, për këtë çështje nuk është përgjegjëse Prokuroria.

“Në aspektin e mos-arritjes së të dyshuarit, nuk mendojmë se është përgjegjës Prokuroria. Janë institucionet përkatëse që duhet ta sigurojnë personin në fjalë. Duhet t’i pyetni të tjerët”, theksoi Maloku, në një konferencë për media.

Ndër të tjera, ai iu kundërpërgjigj Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët të mërkurën me një gjuhë të ashpër e eliminuese iu drejtuan Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, duke fajësuar të njëjtit për ndryshimin e masës ndaj Panqitit.

Ai tha se është shqetësuese çfarëdo ndërhyrje nga pushteti në sistemi e drejtësisë.

“Sa i përket reagimeve, ju e keni pranuar reagimin tonë. Aty kemi shprehur shqetësimin dhe çfarëdo ndërhyrje nga pushteti apo nga përfaqësuesit e pushtetit, qoftë në KPK apo KGJK. S’do t’i shtoja asgjë tjetër atij reagimi. Ka qenë dhe është shqetësim çfarëdo ndërhyrje që del nga goja e pushtetit”, ka thënë Maloku.