75 Mall Live Search
08:04 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / Z S

Maloku: Pa kompromis për presidentin, vendi rrezikon zgjedhje të reja

Politologu Albinot Maloku vlerëson se përgjegjësia kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin e ri bie mbi subjektin më të madh parlamentar, duke theksuar se pa kompromis apo koalicion, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, pavarësisht takimeve që ka zhvilluar kryeministri Albin Kurti me liderë opozitarë, ende nuk është bërë publike një platformë e qartë diskutimi për emrat e mundshëm.

Ai tha për Ekonomia Online se aktualisht nuk ka kandidatë që mund të konsiderohen figurë kompromisi dhe se zgjidhja më e qëndrueshme do të ishte një president konsensual ose një marrëveshje më e gjerë politike që do të përfshinte edhe riformatim të Qeverisë.

“Si në rastet paraprake po edhe tani, peshën më të madhe për të ecë përpara drejt gjetjes së formulës, edhe për çështjen e presidentit, e ka subjekti më i madh parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Është e vërtetë që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, konkretisht kryeministri i vendit, i ka takuar dy liderët e subjekteve të tjera opozitare politike për të parë alternativat, mirëpo kam përshtypjen që nuk është dalë ende, ose po mbahet jashtëzakonisht në mënyrë jo të bashkë-transparente, se nuk ka pasur një platformë mbi çka është diskutuar sa i përket modaliteteve se kush mund të jetë. Përveç kësaj që u tha, dhe fatmirësisht familja Jashari veç e shpjegoi pozicionin e vet, subjektet e tjera politike nuk po shoh që kanë pasur emra për të cilët ata do të insistonin dhe për t’u konsideruar në instancë të fundit si kompromis. Po ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk është se ka një emër për ta konsideruar si kompromis. Dhe në çështjen e mundësisë është që të kemi vetëm kompromis për çështjen në fjalë, pra një president konsensual, ose kishte me qenë jashtëzakonisht e shkëlqyer, e nevojshme për Republikën e Kosovës, që të ketë pastaj një koalicion, të kemi reformatim të qeverisë duke e ndërfutur edhe pjesën e subjektit tjetër politik. Dhe përmes këtij koalicioni të kemi edhe zgjedhjen e shefit të shtetit”, tha ai.

Maloku theksoi se shpallja e vullnetit për kandidim nuk nënkupton kandidaturë zyrtare, pasi ajo kërkon së paku 30 nënshkrime të deputetëve në Kuvend. Ai shtoi se figurat e përmendura deri tani nuk gëzojnë mbështetje të mjaftueshme politike për t’u konsideruar kompromis.

“Tani, çështja e shpalljes së kandidaturës. Unë kam parë që ka pasur një shpallje të kandidaturës më përpara, ose një shpallje të vullnetit, se shpallja e kandidaturës nuk është ai që a i ka 30 nënshkrime nuk mund të konsiderohet, është vetëm shprehje e vullnetit. Dhe nuk janë vetëm këto dy figura që kanë qenë me shprehje të vullnetit; ka qenë edhe një profesor tjetër i Universitetit të Prishtinës, me sa kujtoj. Pra, në këtë rrafsh kemi të bëjmë ose mund të konsiderohet shpallja e kandidaturës në qoftë se i merr 30 nënshkrime në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga deputetët e vendit”, tha ai.

Sa i përket presidentes aktuale Vjosa Osmani, ai tha se nuk sheh vullnet nga Lëvizja Vetëvendosje për ta mbështetur për një mandat të dytë, duke e cilësuar këtë si mungesë të obligimit moralo-politik ndaj një aleati të deritanishëm.

“Figurat e përmendura nuk është se kanë ndonjë vullnet politik për t’i pas dhe nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë ndonjëra prej tyre kompromis. Për presidenten aktuale nuk ka vullnet Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo kjo është natyrshmëria e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, ku harron për një obligim moralo-politik ndaj aleatit më të fuqishëm që e ka pasur në vazhdimësi dhe, si me thënë, nuk është se ia dedikon energjinë, dhe ky është jashtëzakonisht gabim”, tha ai.

Në anën tjetër, ish-ministri Arsim Bajrami, Maloku u shpreh se nuk sheh një agjendë të qartë nga PDK-ja për ta shtyrë përpara kandidaturën e tij. Ai shtoi se, nëse ekziston ndonjë hapësirë apo vullnet politik për Bajramin, ajo mund të jetë më tepër e lidhur me raportet e fundit që ai ka shfaqur VV-në sesa me PDK-në.

“Në anën tjetër, zotëri Arsim Bajrami është profesor universitar, ka kohë që nuk është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për rrjedhojë nuk shoh që Partia Demokratike e Kosovës ka ndonjë agjendë të interesit. Bile-bile më shumë e ka Lëvizja Vetëvendosje, ndoshta si vullnet i treguar nga ana e tij kohëve të fundit për të pasur raporte, sesa po themi Partia Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Ai vlerësoi se edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, kjo mbetet brenda kornizës demokratike dhe nuk do ta dëmtonte më shumë sistemin sesa, sipas tij, dëmet e akumuluara gjatë vitit të fundit në planin ekonomik, politik dhe diplomatik.

“28 Nëntori ka qenë ngarkesë e madhe për një proces zgjedhor. Ju e dini, e kemi thënë disa herë që apel mos shkoni në zgjedhje, gjeni alternativat përbrenda aktualitetit politik dhe mundësive. Unë nuk e shoh sot as procesin zgjedhor si diçka të jashtëzakonshme, është në suazat e demokracisë. Në qoftë se nuk ka një kompromis, një koalicion në instancë të fundit edhe procesi zgjedhor nuk është se e dëmton aq demokracinë edhe vendin, sa veç e ka përjetuar disa dëme jashtëzakonisht të mëdha që kanë qenë një vjeçar i dëmshëm në aspektin ekonomik, në aspektin politik, diplomatik. Ato po konsiderohen nga garnitura aktuale drejtuese e vendit se mund të tejkalohen, dhe për mendimin tim pasojat do të jenë ende të prekshme dhe të vërejtshme. Mirëpo, duke u bazuar nga kjo, konsideroj që edhe një proces zgjedhor i ri në vitin aktual nuk është se e dëmton aq demokracinë. Është në suazat e demokracisë”, tha ai.

Mandati i presidentes Osmani përfundon më 4 prill, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është 4 marsi. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi obligohet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh./Indeksonline/