75 Mall Live Search
08:16 / E Diele, 04 Janar 2026 / Gj Sh

Mamdani merr detyrën si kryebashkiak i New Yorkut, vendimet e para të tij nxisin reagime nga Izraeli!

Pasi u betua mbi Kuran gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryebashkiaku i Nju Jorkut Zohran Mamdani ka shfuqizuar një sërë masash të nxjerra nga paraardhësi i tij Eric Adams kundër antisemitizmit.

Mes tyre është edhe urdhëresa për miratimin e përkufizimit të termit nga International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA), i cili barazon disa forma kritike ndaj Izraelit – si kundërshtimi i karakterit etnikisht hebre të shtetit – me antisemitizmin.

Por kjo nuk është e gjitha. Kryebashkiaku i parë mysliman i “Mollës së Madhe” ka shfuqizuar gjithashtu masën që u ndalonte punonjësve dhe agjencive bashkiake të bojkotonin nga Izraeli.

Po ashtu, është hequr edhe vendimi që i jepte policisë së Nju Jorkut detyrën për të rregulluar aktivitetet protestuese pranë vendeve të kultit, pas manifestimeve para një sinagoge në Upper East Side, të cilat kishin ngjallur akuza për antisemitizëm.

Masa “të papërgjegjshme” dhe të rrezikshme, sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit, e cila në X akuzoi kryebashkiakun se po hedh “benzinë antisemite mbi zjarr”.

Protestojnë edhe disa organizata hebraike, mes tyre Federata UJA e Nju Jorkut dhe Këshilli i Rabinëve të Nju Jorkut, të cilat në një deklaratë thanë se po anuloheshin “mbrojtje të rëndësishme kundër antisemitizmit”. Sulmon kryebashkiakun edhe Inna Vernikov, këshilltare komunale republikane nga Brooklyn, e cila në rrjetet sociale flet për shfuqizimin e një mase që synonte të “mbronte nga diskriminimi hebrenjtë që besojnë në vetëvendosje.

Mamdani, në një konferencë për shtyp, siguroi se disa organizata hebraike të qytetit ndanin shqetësimet e tij lidhur me zgjerimin e përkufizimit të termit. “Ajo që do të bëjmë është të respektojmë konkretisht angazhimin tonë për të mbrojtur hebrenjtë e Nju Jorkut”, tha ai, duke theksuar se ka ruajtur zyrën për luftën kundër antisemitizmit: “Është një çështje që e marrim shumë seriozisht.”

Hapat e parë të kryebashkiakut janë komentuar edhe në Itali. Kryetari i senatorëve të Forza Italia, Maurizio Gasparri, e cilësoi shqetësues debutimin e tij: “Betohet mbi Kuran, lartëson ekonominë kolektive dhe sulmon ekonominë private, por mbi të gjitha rishikon deklaratat parimore kundër antisemitizmit: të mendosh se një nga metropolet e botës perëndimore dhe demokratike është në këto duar, të bën vërtet të reflektosh.”

Dakord është edhe Ivan Scalfarotto, senator dhe përgjegjës për Politikën e Jashtme i Italia Viva: “Mamdani kishte premtuar transport falas për të gjithë dhe supermarkete komunale – shkruan ai në X –. Akti i tij i parë si kryebashkiak i Nju Jorkut ka qenë në fakt dobësimi i masave kundër antisemitizmit. Është një sinjal shqetësues: për një pjesë të së majtës, goditja selektive e komunitetit hebraik duket se ka më shumë peshë sesa politikat sociale me të cilat u fituan zgjedhjet.”