20:49 / E Premte, 24 Mars 2023 / MSH

Manaj dhe Selmanaj pas vendimit të Kushtetuesës: Dështoi edhe një përpjekje për kapje të shtetit!

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas Selmanajt, kjo është hera e pestë që Qeveria Kurti 1 dhe 2 po e shkel Kushtetutën.

“Këta kanë logjikë kundër shtetit, kundër kushtetutës, kundër demokracisë. Shkarkimi i Albulena Haxhiut dhe Blerim Sallahut është më e pakta që duhet të ndodh sonte” shkroi Selmanaj në Facebook.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Ju dështoj edhe një përpjekje për kapje të shtetit.

Qeveria Kurti 1 dhe 2 për të pestën herë u konfirmua

 nga Gjykata Kushtetuese si shkelëse e Kushtetutës.

Sot Gjykata Kushtetuese e ka shpallë Aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Gjykata i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e LDK-së se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues.

Gjykata ka vlerësuar që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.

A po e kuptoni tani pse Qeveria Kurti, na kritikonin pse po i dërgojm ligjet në Gjykatën Kushtetuese?

Këta kanë logjikë kundër shtetit, kundër kushtetutës, kundër demokracisë.

Shkarkimi i Albulena Haxhiut dhe Blerim Sallahut është më e pakta që duhet të ndodh sonte.

Ndërkohë ka reaguar edhe Shkëmb Manaj.

Sipas Manajt, kjo është një fitore e madhe e rendit kushtetues, teksa dëshmon përpjekjet e Vetëvendosjes për kapjen e sistemit të drejtësisë.

Ky është reagimi i plotë i Manajt:

Gjykata Kushtetuese ka aprovur sot kërkesën tonë të parashtruar nga 10 deputetë të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe njëzëri ka të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kjo është fitore e madhe e ruajtjes së rendit tonë kushtetues dhe të pavarësisë institucionale të institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Kjo është edhe një dëshmi që pushteti absolut i Vetëvendosjes përmes ligjeve kundër kushtetuese po tenton të kap sistemin e drejtësisë.

Për njoftim, në thelb, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”. Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës.