Manaj, nga “ferri” në “parajsë”/ Sulmuesi, shënuesi më i mirë i kualifikueseve për kuqezinjtë

Rej Manaj, njëri nga sulmuesit më të talentuar të kombëtares shqiptare në të gjitha kohët, duhet të cilësohet padyshim “mbreti I golit” në këtë cikël eliminator të Kupës së Botës.
Në moshën 28-vjeçare ai është kthyer në pikë referimi për trajnerin Silvinjo, dhe për shokët, duke shënuar tri herë e duke qenë thuajse gjithmonë titullar.
Pas humbjes 0-2 në “Wembley” me Anglinë, ylli I krijuar tek Interi, ai realizoi dy rrjeta në portën e Andorrës në “Air Albania” në 24 mars të këtij viti.
Ishin dy goditje të shpejta në minutat 19 e 29 që e zgjidhën fatin e përballjes, ndihmuar edhe nga klasi i Armando Brojës.
Gjithsesi, në 7 qershor gjithashtu në “Air Albania”, ai kaloi një nga momentet më të vështirë me kombëtaren, në mos më të vështirin.
Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, humbi penalltinë që mund të na kishte dhënë fitoren ndaj Serbisë, e që padyshim do të na kishte kaluar në avantazh.
Që nga ajo kohë pati një barrë të madhe mbi supe, siç e tha pas duelit në Serbi të shtunën.
Sidoqoftë, vazhdoi fort dhe në Letoni ishte merita e tij në golin e avantazhit të përkohshëm të Shqipërisë, ndonëse në fund morëm vetëm një pikë.
Gjithsesi, kulmi u arrit në Serbi, me rrjetën që do të mbetet në histori, për fitoren e parë në fushë të Shqipërisë ndaj këtij rivali, për fitoren e parë jashtë fushe dhe për golin e parë jashtë fushe.