17:38 / E Mërkurë, 29 Prill 2020 / indeksADMonline

Manastirliu viziton Spitalin e Traumës: Do të hapim gradualisht sistemin

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri Ogerta Manastirliu zhvilloi një vizitë në Spitalin Universitar të Traumës ku janë transferuar të gjitha urgjencat e kirurgjisë dhe patologjive malinje pas situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Manastirliu deklaroi pavarësisht emergjencës së këtyre ditëve, ky spital ka pritur rreth 4000 urgjenca. Ajo sqaroi gjithashtu se po merren të gjitha masat për hapjen graduale të sistemit, në varësi të situatës nga koronavirusi.

“Shqetësimi më i madh ka qenë garantimi i shërbimeve të urgjencës për qytetarët në këtë periudhë. Arritëm që të vendosnim përqëndrimin në urgjencën e Spitalit të Traumës të të gjithë kirurgjive, edhe ato të sëmundjeve malinje. Janë rreth 4000 urgjenca të pritura dhe rreth 16-20 ndërhyrje të urgjencës kirurgjikale. Jemi duke vlerësuar me shumë kujdes të gjitha fazat e hapjes së sistemtit shëndetësor që nuk do jenë dhe aq të shpejta. Pasi duhet që të garantojmë mbrojtjen e pacienteve, mbrojtjen tuaj. Puna nuk ka ndalur në spitale, por për urgjencat kirurgjikale dhe ato malinje do të vazhdojë puna me intensitet nga stafet mjekësore kudo në vend”, tha Manastirliu.