75 Mall Live Search
12:49 / E Hënë, 17 Nëntor 2025 / L A

Manchester United-i interesohet për Viniciusin

Manchester United-i po rikthen fuqishëm interesimin për yllin e Real Madridit, Vinicius Junior, ndërsa raportet nga Spanja thonë se “Djajtë e kuq” janë gati të bëjnë një lëvizje të madhe.

Edhe pse këtë verë Unitedi investoi mbi 200 milionë euro për të rindërtuar sulmin me Sesko, Cunha dhe Mbeumo, klubi anglez thuhet se po përgatit një ofertë prej 200 milionë eurosh për Viniciusin, sipas Fichajes.

E ardhmja e brazilianit në Madrid është e pasigurt pas një sezoni të luhatshëm, ku ka shënuar vetëm pesë gola në 16 paraqitje. Nën drejtimin e Xabi Alonsosit, roli i tij është zvogëluar ndjeshëm, sidomos pas mbërritjes së Kylian Mbappes, i cili është kthyer në liderin e ri të skuadrës.

Raportet flasin edhe për tensione mes Viniciusit dhe Alonsosit, me incidentin në El Clasico që ka shtuar dyshimet për largim. Real Madridi thuhet se është i hapur të dëgjojë oferta, sidomos duke marrë parasysh disa probleme jashtë fushës dhe faktin që kontrata e lojtarit skadon, më 2027.

Një transferim tek Unitedi do t’i jepte brazilianit një fillim të ri dhe rolin kryesor që ai kërkon, ndërsa për Amorimin ai do të sillte kreativitet dhe eksperiencë.

Megjithatë, burimet pranë klubit anglez thonë se Unitedi është më shumë i fokusuar në mesfushë për vitin 2026, dhe një investim kaq i madh në sulm duket i pamundur. Strategjia e INEOS mbetet e njëjtë: të gjejnë talentët e rinj, jo të paguajnë shifra rekord për yje të konsoliduar.

Për momentin, interesimi për Vinicius Junior-in mbetet vetëm një skenar ambicioz – por jo i përjashtuar plotësisht.