75 Mall Live Search
10:16 / E Hënë, 01 Shtator 2025 / S Z

Mandati i parë drejt fundit, Rama: Sot prishtinasit besojnë në të ardhmen e kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama (LDK) është në përfundim të mandatit të tij katërvjeçar dhe tashmë ka shpallur kandidaturën për një mandat të dytë.

Në një intervistë për “Përballje Podcast” në Telegraf Rama është shprehur i bindur në fitoren e tij, duke theksuar se më 12 tetor do ta sigurojë mandatin pa balotazh.

Ai theksoi se gjatë udhëheqjes së tij, Prishtina është kthyer në një qytet me energji pozitive dhe atmosferë shprese, duke shtuar se para se të merrte drejtimin e kryeqytetit, prishtinasit kishin humbur besimin dhe optimizmin për të ardhmen.

“Prishtina para katër vjetësh, e dini edhe vetë, ka qenë në probleme të shumta, sfida të shumta, të cilat kanë qenë në dimensione të ndryshme po nëse mundem ashtu me e ndërlidhë problemin kyç, problemi më i madh ka qenë që Prishtina ose prishtinasit e patën humb besimin, atëherë nuk kanë pasur besim që Prishtina mundet me u bo ma mirë. Pra, diçka madhore që ka ndodhur prej atëherë deri sot është që prishtinasit sot besojnë në të ardhmen e kryeqytetit”, u shpreh ai.

Rama tha se për katër vite kanë realizuar disa projekte, duke shtuar se kanë edhe projekte që janë duke vazhduar, e po ashtu edhe që presin të fillojnë.

“Në aspektin e infrastrukturës tash e dimë, për shembull, që kryeqytetit i duhet unaza e kryeqytetit, projekt të cilin ne e kemi përfundu qysh para tri vitesh, mirëpo është i bllokum prej nivelit qendror”, deklaroi ai.

Ai po ashtu tha se kanë investuar edhe në arsim, duke ndërtuar shkolla të reja.

“Sot, kryeqyteti është duke i ndërtuar dhjetë shkolla të reja në pjesë të ndryshme të kryeqytetit në pjesët periferike, ku edhe i kanë munguar kryeqytetit këto shkolla. Disa prej tyre kanë përfunduar, disa prej tyre janë në përfundim e sipër. Kryeqyteti ka filluar me vitin e kaluar me pesë shkolla me mësim tërëditor, tash po ia shtojmë edhe shtatë shkolla tjera, pra kemi me pasë dymbëdhjetë shkolla me mësim tërëditor”, deklaroi ai.

Në “Përballje Podcast” ai tha se kanë edhe disa projekte të tjera infrastrukturore që janë me rëndësi.

“Aspekte të tjera kemi një numër të madh të projekteve infrastrukturore, unaza e brendshme për shembull është në përfundim e sipër, e cila ka me qenë një ndihmesë shumë e madhe për trafikun. Po ashtu, rruga “Xhim Xhema” apo “Rruga A” është në përfundim e sipër”, u shpreh kryetari Rama.

Ai foli edhe për trafikun urban, ku përmendi biletat ditore, e po ashtu linjat e reja që janë shtuar. E sa i përket autobusëve të rinj, ai tha se kjo po stërzgjatet për shkak të prokurorimit.

Rama gjithashtu u shpreh se kanë arritur të bëjnë zgjidhje edhe për problemin me qentë endacakë.

“Tash qentë endacakë e keni pa kohët e fundit që ne pothuajse e kemi zgjedhë problemin e qenve endacakë”, deklaroi ai duke përmendur adaptimin e tyre dhe subvencionimin e familjeve që marrin qentë.

Sa u përket punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, Rama tha se punimet po vazhdojnë por me intensitet më të ulët, pasi ka bllokada nga Ministria e Kulturës.

“Ju e dini, e kemi bllokadën, e din që e kemi bllokadën joligjore nga Ministria e Kulturës së Sportit”.

Për kaosin në komunikacion, Rama tha se sipas statistikave është shtuar numri i veturave që hyjnë në Prishtinë, prandaj zgjidhja mbetet tek unaza e kryeqytetit.

“Po zgjidhja e problemit të trafikut në kryeqytet është siç e përmenda unaza e kryeqytetit, unaza e jashtme të cilën e kemi të gatshme e cila është blloku prej nivelit qendror”, tha mes tjerash ai, duke shtuar se hapja e sheshit “Xhorxh Bush”, nuk ndikon në lehtësimin e trafikut.

“Unë edhe ju them këtu që hapja e sheshit “Xhorxh Bush”, nuk e përmirëson trafikun, faktikisht e përkeqëson trafikun. Konceptin ne që po e zhvillojmë, pra ku e kemi unazën e brendshme me këto parkingje të cilat janë si Pallati i Rinisë, pas Pallatit të Rinisë, që është v endparkimi atje, që e kemi parkingun tjetër tek rrethi i flamurit që e kemi tash vendparkimin te tulltorja e pastaj te AKP-ja.  Në qendër pra sistemi i parkingjeve në relacion me unazën e brendshme e krijon një një rrjet ku qytetarët kanë opsione edhe prej secilës prej këtyre pikave i kanë jo më larg se pesëqind metra ecje, kudo që kanë nevojë me mbërri në qendër në zonën qendër të të kryeqytetit”.

Sa i përket çështjes së mbeturinave, Rama tha se ka pasur sabotazh nga Kompania “Pastrimi”, dhe se e gjithë kjo ka qenë çështje puro politike.

Në këtë podcast Rama flet për të ardhmen e Prishtinës nëse do të ketë besimin e banorëve të Prishtinës, por flet edhe për kanditatët tjerë që janë në garë.