20:18 / E Premte, 11 Shkurt 2022 / MSH

Mane merr dhuratën më të bukur, stadiumi i vendlindjes do marrë emrin e tij

Senegali arriti të fitonte për herë të parë në histori Kupën e Kombeve të Afrikës, teksa në finale mposhti Egjiptin e Mohamed Salah.

Një finale e cila u vendos nga “ruleta ruse”, me lojtarët e Senegalit që dolën triumfues ndaj faraonëve.

Sadio Mane ishte një nga lojtarët kryesorë për Senegalin, ku shënoi edhe penalltinë vendimtare për kombëtaren e tij.

Festa për sulmuesin e Liverpool nuk ka të ndalur, teksa Kryebashkiaku i Sedhiou, qytetit ku ka lindur sulmuesi, Abdoulaye Diop dha lajmin e bukur se stadiumit të qytetit do t’ia vendosin emrin e Manes.

“Ne do t’i vendosim emrin e Sadio Mane stadiumit të qytetit, për t’i shprehur atij gjithë mirënjohjen tonë. Sadio nderoi Senegalin dhe qytetin tonë, e meriton plotësisht këtë dhuratë”.