Manipulimet me vota, nisin hetimet edhe në Gjilan
Edhe në Komunën e Gjilanit kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kështu ka konfirmuar për Klanin kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu.
“Jemi në procesi të intervistimit, nuk mund të ndajmë detaje të tjera një herë rreth rastit”, tha ai shkurt.
Kujtojmë se koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga prokuroria e shtetit, Laura Pula, kishte deklaruar se të gjitha prokuroritë në Kosovë tashmë kanë lëshuar autorizime për grumbullim të informacioneve në drejtim të personave, të cilët faktikisht kanë manipuluar apo falsifikuar procesin e numërimit të votave.
Në një prononcim për IndeksOnlinen, ajo kishte thënë se secila prokurori po pret rezultatet përfundimtare për të vazhduar hetimet e mëtejshme.
“Hetimet do ta tregojnë se si është bërë ky falsifikim i rezultateve, asnjë nga ta nuk do të amnestohet dhe kushdo që e ka shkelur vullnetin e lirë të votuesit do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, ka thënë ajo për IndeksOnline.

