75 Mall Live Search
22:17 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / Burim

Manja: Në Hagë nuk po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, por lufta e tërë popullit

Ulsi Manja, deputet dhe ish-ministër i Drejtësisë në Shqipëri, ka folur lidhur me protestën e nesërme në Tiranë me moton “Unë jam UÇK – Protestë gjithëkombëtare”.

Ai ka thënë se protesta e thirrur nga veteranët e UÇK-së dhe veteranët e luftës në Shqipëri kanë të gjithë “të drejtën e Zotit” të mblidhen nesër në këtë protestë në Tiranë.

“Jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha sheshet e Evropës ku bota demokratike merr vendime për fatin e shqiptarëve,” ka deklaruar Manja në një lidhje direkte në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Sipas tij, protesta e nesërme që do të mbahet në Tiranë ka vetëm një mesazh:

“Nuk mundet në Hagë, me provat e xhelatit, të gjykohet lufta e një populli të tërë për liri e pavarësi – lufta e popullit të Kosovës. Atje, në Hagë, nuk po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por me provat e Beogradit po gjykohet lufta e drejtë çlirimtare e një populli të tërë.”

Manja shtoi se standardet me të cilat po gjykohen ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “bëjnë me turp jo vetëm drejtësinë ndërkombëtare, por edhe drejtësinë e çdo vendi demokratik”.

“Nuk mund të themelohet fajësi në atë gjykatë me prova të sajuara në Beograd. Nesër, në sheshin ‘Skënderbej’, duhet të përcillet mesazhi i qartë se komandantët që po gjykohen padrejtësisht atje nuk janë vetëm – pas tyre është një popull i tërë, janë shqiptarët. Kushdo që e quan veten shqiptar, pa dallim bindjesh politike, duhet të jetë aty”, ka përfunduar Manja.