MAPL ndalon seancën konstituive në Mitrovicën e Veriut, komuna paralajmëron betimin ceremonial (Dokument)
Seanca konstituive e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, e planifikuar për t’u mbajtur më 5 dhjetor, nuk pritet të zhvillohet pas një vendimi të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila ka refuzuar mbajtjen e saj.
MAPL ka arsyetuar vendimin duke theksuar se në dokumentacionin zyrtar të dorëzuar nga komuna nuk është përmendur Republika e Kosovës, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, raporton IndeksOnline.
Megjithatë, kryetari i zgjedhur Millan Radojeviq ka njoftuar se këshilltarët e zgjedhur do të mblidhen për të formuar komisionin verifikues dhe për të bërë betimin ceremonial të këshilltarëve dhe të kryetarit të komunës.
Ai ka ftuar anëtarët e rinj të Kuvendit të marrin pjesë në këtë seancë ceremoniale më 5 dhjetor, nga ora 11:00, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Rendi i ditës i propozuar i seancës:
- Formimi i Komisionit Verifikues për Validimin e Mandatit të Këshilltarëve
- Bërja e betimit ceremonial të këshilltarëve të zgjedhur
- Bërja e betimit ceremonial të kryetarit të zgjedhur të komunës”, thuhet në letrën e Radojeviq, ku as nuk përmendet e as nuk ka ndonjë simbol të Republikës së Kosovës.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, Millan Radojeviq nga Lista Serbe fitoi mandatin e kryetarit të Mitrovicës Veriore, teksa në gati dy vitet e fundit, komuna është drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.


