75 Mall Live Search
17:08 / E Premte, 25 Korrik 2025 / MSH

Maqedonci përgëzon ushtarët e FSK-së që kryen me sukses kursin kualifikues për forcat speciale

Gjashtë ushtarë të FSK-së kanë përfunduar me sukses kursin kualifikues për forcat speciale.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, fillimisht përgëzuan pjesëtarët e FSK-së për përfundimin me sukses të një prej kurseve më sfiduese që zhvillohen në kuadër të forcës.

Për më tepër, Maqedonci vlerësoi përkushtimin e pjesëmarrësve dhe rëndësinë e kursit për ngritjen profesionale të pjesëtarëve tonë, ndërsa gjeneral Jashari theksoi rolin e organizimit të këtij trajnimi në rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.

Gjatë kursit, kursantët demonstruan disiplinë dhe profesionalizëm të lartë, duke kaluar me sukses fazat intensive  dhe komplekse të trajnimit sfidues për operacionet e grupeve elitare.

Në fund të takimit, udhëheqësit uruan pjesëmarrësit për suksesin e arritur, duke e cilësuar si dëshmi të aftësive dhe përgatitjes së pjesëtarëve të FSK-së në një nivel të lartë. Gjithashtu ata potencuan edhe një herë rëndësinë e shpërndarjes së përvojës së fituar me njësitë e tyre dhe avancimin e aftësive në trajnime të këtij niveli, me qëllim të forcimit të kapaciteteve profesionale të forcës.