Maqedonci takon homologun belg, diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet ushtrive
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me homologun e tij belg, Theo Francken, në margjinat e panairit BEDEX 2026, i cili po mbahet në Bruksel.
Në njoftimin e MM-së së Kosovës, u tha se në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Postimi i plotë:
Në margjinat e panairit BEDEX 2026, zhvillova një takim shumë të frytshëm me mikun tim, Ministrin e Mbrojtjes të Belgjikës, Theo Francken.
Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus të veçantë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet ushtrive tona përmes trajnimeve të përbashkëta, si dhe mundësitë për shkëmbimin e oficerëve për shkollimin dhe avancimin profesional të tyre.
Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe akreditimi i Atasheut të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në Belgjikë, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit tonë institucional dhe ushtarak.
Kosova po ndërton partneritete të forta me aleatët tanë dhe po avancon me vendosmëri drejt forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe integrimit euroatlantik.
Së bashku me aleatët tanë, për më shumë siguri, stabilitet dhe zhvillim./Indeksonline/

