75 Mall Live Search
17:10 / E Martë, 27 Prill 2021 / OSH

Maqedoni: Katër vjet nga dhuna në kuvend, organizatorët ende në liri

Edhe katër vjet nga ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit 2017, partitë janë të ndarë në qëndrime, nëse sulmuesit e institucionit ligjvënës ishin dhunues e terroristë, të cilën e thonë nga LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev dhe nga partive shqiptare, apo mbrojtës të rendit kushtetuese, që e thotë VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila edhe kishte mbështetur dhe nxitur dhunën në kuvend.

Gjatë sulmit të kuvendit nga një grup i madh protestuesit që kundërshtonin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të këtij institucioni, por edhe ndërrimin e pushtetit, ishin plagosur rëndë kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, të cilët sulmuesit e kishin lënë për të vdekur, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, deputetja Radmilla Sheqerinska dhe shumë persona tjerë.

Kryeministri Zoran Zaev, tha të martën se ajo që kishte ndodhur më 27 prill të vitit 2017, ishte gjëja më e tmerrshme dhe më e dënueshme që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në vend.

“Dua të përcjell mesazhin që diçka e tillë të mos ndodh kurrë në Maqedoninë e Veriut, por edhe askund tjetër në botë. Atë ditë të tmerrshme, çdo njëri prej nesh priste të humbte jetën, secila sekondë e dy orëve e 15 minuta sa ka zgjatur dhuna, ishte sa një shekull. Kjo ngjarje e tmerrshme mua më motivon që të punoj edhe më shumë për përparimin e vendit”, ka deklaruar Zaev.

Ai është përgjigjur edhe për protestën e një ditë më parë që u mbajt nga VMRO-DPMNE-ja, në mbrojtje të personave të dënuar për dhunën në kuvend.


“Të organizosh tubime për të mbrojtur ata që janë dënuar sepse donin të vrisnin deputetë, gazetarë, kameramanë e të tjerët që ndodheshin në kuvend, nuk është gjë tjetër pos çmenduri apo bashkëpjesëmarrje në krim. Të gjithë e dimë se ata ishin organizuar dhe ishin futur brenda për të vrarë”, ka deklaruar Zaev.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, në protestën që u mbajt të dielën, tha se të dënuarit duhet të lirohen, ndërsa veprimin e tyre e quajti të drejtë, meqë, sipas atij, ata më 27 prill kishin mbrojtur Kushtetutën.

“Populli është i pakënaqur, populli ka dalë në protestë në mbrojtje të atyre që mbrojtën Kushtetutën. Një ditë në burg si i pafajshëm është sa një shekull. Duhet të ketë një rigjykim, t’u jepet mundësia që të dëshmojnë pafajësinë e tyre”, ka deklaruar Mickoski.

Ndërkohë, edhe katër vjet nga kjo ngjarje e rëndë, që ndryshe njihet edhe si e “enjtja e përgjakshme”, nuk ka një epilog gjyqësor për organizatorët e dhunuesve të deputetëve.

Në mesin e të dënuarve është edhe një shqiptar, Fetah Alimi, njeriu që kishte shpëtuar nga vdekja Zijadin Selën. Alimi ka qenë pjesë e sigurimit të kuvendit, ndërsa është dënuar për moskryerje të detyrës gjatë pushtimit të kuvendit.

Por, Zijadin Sela gjatë vizitës që i bëri atij në burg, tha se Alimi është dënuar vetëm pse e ka shpëtuar atë nga likuidimi fizik. Kreu i opozitës shqiptare hodhi dyshime edhe mbi protestën e VMRO-DMNE-së dy ditë më parë, duke theksuar se mos ndoshta kjo parti së bashku me partitë tjera LSDM-në dhe BDI-në, po përgatisin ndonjë ligj për amnistinë e sulmuesve të kuvendit.

“Bashkë kanë amnistuar fajtorët kryesorë për 27 prillin, pra VMRO-ja, LSDM-ja dhe BDI-ja. Bashkë e shtynë edhe procesin e regjistrimit të popullsisë. Mos ndoshta bashkërisht këto tri partitë po përgatisin skenarin që të amnistojnë dhe lirojnë terroristët, huliganët, banditët dhe vagabondët të cilët ndodhen brenda në burg, përjashto këtu njeriun fisnik, Fetah Alimi dhe të cilin unë i kam borxh gjithçka që unë jam ende gjallë”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.