14:52 / E Shtunë, 21 Nëntor 2020

Maqedonia e Veriut drejt legalizimit të marihuanës

Pas legalizimit të prodhimit të “cannabis sativa” për arsye medicinale, Maqedonia e Veriut pritet të lejojë përdorimin e gjerë të marihuanës në publik, duke dekriminalizuar përdorimin e saj.

Është vet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai që e ka shpallur këtë synim në një intervistë për Deutsche Welle.

Zaev tha se kjo çështje është akoma në debatin publik dhe nëse rezulton se opinioni i përgjithshëm publik është pozitiv, atëherë do të kalojmë në përgatitjen e kornizës ligjore. Sipas tij qeveria është e bindur që përdorimi i marihuanës për qëllime turistike do të ndihmojë turizmin në Maqedoni.

“Ideja është të japim mundësi për vendet turistike, përfshirë këtu edhe Shkupin, pse jo, një vend serioz turistik, kafenetë ekzistuese dhe ato të reja, me standarde të caktuara – ventilimi, dëshmia për origjinën e marihuanës, etj, për të lejuar konsumimin e marihuanës brenda tyre. Sipas standardeve të barabarta për të gjithë, çdokush mund të aplikojë. Besoj se për një vend të vogël mund të sjellë zhvillim serioz të hotelerisë, turizmit dhe të ngjashme”, tha kryeministri Zaev për Deutsche Welle.