Maratona me emrin “Konstituim” – nesër “kilometri” i 17-të

Ndonëse “vrapi” i tyre po i ngjason sprintit, deputetët janë distancuar mjaftueshëm nga dita që supozohej të konstituohej Legjislatura e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Dje ishte një-mujori i seancës së parë të mbajtur, ndërkaq nesër do të jetë tentativa e 17-të për të realizuar qëllimin e vetëm për të cilin po mblidhen deputetët – formimi i institucioneve, shkruan IndeksOnline.
Ngërçi është krijuar e ka marrë formë tek emri i kryeparlamentarit. LVV-ja insiston për Albulena Haxhiun, opozita s’e do emrin e saj si kryetare të Kuvendit.
Lëmshi është zgjeruar e rënduar me procedurën e votimit të fshehtë, që po ashtu s’po merr votat në seancat që s’po zgjasin më shumë se 15 minuta.
Partitë politike që siguruan mandate nga zgjedhjet e 9 shkurtit dje u takuan edhe me të parën e vendit, presidenten Vjosa Osmani, për t’u konsultuar pikërisht për situatën e krijuar.
Duke thënë se disponimi ishte minimal, Osmani u shpreh se inkurajoi liderët e partive të gjejnë zgjidhje të përbashkët për konstituimin e Kuvendit.
“Ky është vetëm takimi i parë, nëse shihet e nevojshme nga java e tjetër do të takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar pastaj edhe formate të tjera sipas nevojës. Po ashtu, sa për sqarim këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re sepse siç e dini këto i takojnë ekskluzivisht negociatave ndërmjet partive politike dhe institucioni i presidentes nuk është institucion që përfaqëson ndonjë parti por përkundrazi”, tha ajo.
Mbetet të shihet nesër nëse do të arrihet “vija e finishit” apo “gara” do të vazhdojë me xhiro të tjera shtesë./IndeksOnline/