Marc Marquez shkruan historinë, shpallet kampion bote për herë të nëntë dhe barazon legjendën Ross

Marc Márquez është zyrtarisht kampion bote i MotoGP për vitin 2025, falë vendit të dytë në Çmimin e Madh të Japonisë – një rezultat që i mjaftoi për të siguruar titullin e shtatë në klasën mbretërore dhe të nëntin në karrierë në Kampionatin Botëror të MotoGP.
Me këtë triumf, Márquez barazon legjendën Valentino Rossi, duke hyrë në një klub ekskluziv që pak veta në histori kanë pasur privilegjin të prekin. Por spanjolli i Ducati-t vendos edhe një tjetër rekord: bëhet piloti i parë që fiton një titull bote më shumë se pesë vjet pas fitores së tij të fundit, që datonte në vitin 2019.
I rigjetur, i përqendruar dhe më i rrezikshëm se kurrë, Márquez ka zhvilluar një sezon spektakolar:
14 podiume në 17 gara Sprint;
11 fitore në total;
Vetëm dy gara pa pikë (tërheqje në Austin dhe vendi i 12-të në Jerez).
Këto rezultate e bënë pothuajse të pamundur për rivalët ta ndalonin në garën për titull, përfshirë edhe vëllain e tij, Alex Márquez, i cili përfundoi në vendin e 6-të në Motegi dhe matematikisht doli jashtë luftës për kampion.
Fitorja në Japoni i takoi një Francesco “Pecco” Bagnaias të rilindur, i cili përmbylli një fundjavë perfekte pas suksesit në Sprint-in e së shtunës. Pavarësisht problemeve me motorin dhe retë e bardha të tymit që dilnin nga Ducati i tij në çdo kthesë, kampioni në fuqi arriti të qëndronte i qetë dhe të rikthehej te fitorja e madhe pas një sezoni të vështirë.
Podiumi u plotësua nga Joan Mir me Honda, që rikthehet në podium pas katër vitesh mungesë, ndërsa Marco Bezzecchi (Aprilia) dhe Franco Morbidelli (Ducati VR46) përfunduan në vendet 4 dhe 5.
Nuk ishte një fundjavë e lehtë për Enea Bastianinin dhe Fabio Di Giannantonio, që mbyllën garën në vendin e 11-të dhe të 13-të. Luca Marini u detyrua të tërhiqej pas vetëm disa xhirosh për shkak të problemeve teknike.
Rikthimi i Márquez në majën e botës vjen pas vitesh të vështira të shoqëruara nga dëmtime, ndërhyrje kirurgjikale dhe kritika. Por kampioni spanjoll ka dëshmuar se ende ka shumë për të dhënë dhe se emri i tij është i gdhendur në historinë e MotoGP-së krah legjendave si Valentino Rossi.