75 Mall Live Search
09:29 / E Enjte, 09 Shtator 2021 / C E

MARCA: Spanja vuan për të fituar ndaj Kosovës

Gazeta e njohur spanjolle “Marca” ka shkruar për ndeshjen në mes të Kosovës dhe Spanjës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Fitoren e Furisë së Kuqe, gazeta nga Madridi e ka quajtur si shumë të vështirë, shkruan Indeksonline.

“Spanja vuan për ta fituar ndaj Kosovës” – ishte titulli i raportit të Marcas për ndeshjen në Prishtinë.

“Ishte e qartë pas rifillimit të ndeshjes (pas pushimit mes pjesëve) se duhej ta rrisnim epërsinë sa më shpejt që ishte e mundur, sepse në çdo çast Kosova mund të ta fusë frikën në palcë. Dhe kështu bëri”, shkroi Marca, duke i shpjeguar mundësitë e shënimit për Rashicën dhe Muriqin, të cilët dështuan ta mposhtnin portierin Simon ballë për ballë.

Spanja mbetet lidere e Grupit B tani me 13 pikë, katër më shumë sesa Suedia në vendin e dytë. Por kjo e fundit i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Greqia është e treta me 6 pikë, ndërsa Kosova e katërta me 4 pikë. Gjeorgjia është e fundit me një pikë.

Spanja do ta ketë një përballje të fundit me Suedinë dhe aty pritet të vendoset fituesi i grupit, i cili shkon direkt në Katar 2022. Vendi i dytë duhet të luajë në play-off për kualifikim. /IndeksOnline/