Marco Rubio pranon ftesën të vizitojë Tiranën

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Ervin Bushati, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Sekretarin amerikan Marco Rubio, të cilin e ka ftuar zyrtarisht të vizitojë Shqipërinë në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjete sociale, Bushati publikoi një foto me Rubio dhe e cilësoi atë si një “mik të shqiptarëve”, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza, mesazhi ynë nesër për në EU “më shumë dashuri edhe më shumë shërbim me përulësi”, shkruan Bushati.
Sipas Bushatit, Rubio ka pranuar ftesën me kënaqësi të vizitojë një vend që e vlerëson si kontributor në NATO, sidomos pas vizitës së fundit në Hagë.
Ambasadori e përmbylli postimin me një mesazh për 4 Korrikun, duke e quajtur këtë ditë jo vetëm si Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, por edhe si “Deklaratën e Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën”.
“4 Korriku nuk është thjesht Dita e Pavarësisë së SHBA – është Deklarata e Lirisë e Demokracisë për gjithë Botën tonë”, shkruan Bushati më tej.
“Shqipëria është edhe një mrekulli e diplomacisë Amerikane: nga një diktaturë komuniste që njihej si “Koreja e Veriut në Evropë”, sot në vend më pro Amerikan & pro NATO kudo. E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza: mesazhet tona do të vijnë në BE “më shumë Dashuri edhe më shumë përulësi”- përfundon mesazhin e tij ambasadori Bushati.