Marigona Qerkezi elektrizoi publikun në “Opera Night”

Në një natë të mbushur me emocione, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Marigona Qerkezi solli një performancë të jashtëzakonshme në mbrëmjen “Opera Night”, si pjesë e edicionit të 5-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Ramë Lahaj (RLIOF).
E cilësuar si një nga zërat më premtues të skenës operistike ndërkombëtare, Marigona udhëhoqi një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë të pranishmit. Me një repertor të pasur që përfshinte kryevepra nga Bellini, Verdi, Puccini e kompozitorë shqiptarë, ajo dëshmoi edhe një herë talentin e saj të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të krijuar lidhje të thella emocionale me audiencën. Veçantinë kësaj mbrëmjeje ia shtoi edhe tenori Ramë Lahaj, i cili për disa caste ndau skenën me Marigonën, duke e lënë publikun të rrëmbyer nga magjia e zërave të tyre.
E shoqëruar mjeshtërisht nga pianistja amerikane Jess Rucinski, Marigona përçoi përmes zërit të saj dramatik dhe mjeshtërisë teknike një spektër të gjerë emocionesh, duke konfirmuar jo vetëm statusin e saj si një yll në ngjitje në botën e operës, por edhe si një “ambasadore” e denjë e kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.
“Opera Night” mbetet një nga gurthemelet artistikë të RLIOF-it, që edhe për të pestin vit me rradhë solli për publikun kosovar, zë të fuqishëm dhe interpretime që kapërcejnë kufijtë gjeografikë e kulturorë.
Pas “Opera Night”, do të pasojnë:
29 korrik | 19:30 New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë)
30 korrik | 20:30 Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë), për të përfunduar me mbrëmjen më kulmore të këtij festivali gala Mbrëmje “Ramë Lahaj & Friends”, në sheshin Skënderbeu, me 2 gusht nga ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë yje ndërkombëtarë të operës si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi Italian Dario Russo dhe i yni, tenori Rame Lahaj, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit shqiptar, nën udhëheqjen e maestro Roberto Rizzi Brignoli.