Marine Le Pen paralajmëron: Nëse marr pushtetin, anuloj lëvizjen e lirë për qytetarët e vendeve jashtë BE-së!

Jeta politike e Marine Le Pen ndryshoi në qershor me shpërbërjen e papritur të Asamblesë Kombëtare, të dekretuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Gjashtë muaj më vonë – pas zgjedhjeve të parakohshme, emërimit dhe rrëzimit të Michel Barnier, dhe zëvendësimit të tij nga François Bayrou – udhëheqësja e Tubimit Kombëtar ka ende në duart e saj qeverinë franceze.
Sado të mundohet presidenti, pa mbështetjen e Frontit të Ri Popullor të së majtës, dhe pa një kandidat të caktuar nga krahu progresist, që ka shumicën në parlament, fati i qeverisë do të vazhdojë të jetë i lidhur me vullnetin e të së djathtës ekstreme. Le Pen ka qenë 3 herë kandidate presidenciale dhe 2 herë ka kaluar në balotazh.
Ajo e ka shndërruar Tubimin Kombëtar në një parti thuajse hegjemoniste, që e ka gllabëruar të djathtën politike tradicionale. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, mori më shumë se 10 milionë vota. Le Pen nuk ka qenë kurrë kaq pranë arritjes së ëndrrës së vjetër presidenciale të familjes së saj.
Megjithatë, gjithçka mund të ndryshojë më 31 mars, kur të shpallet vendimi në gjyqin për përvetësim të fondeve evropiane, që mund ta ndalojë atë të mbajë poste publike për 5 vjet. Muajt e ardhshëm do të shënojnë të ardhmen e qeverisë franceze, të Macron por edhe të vetë Le Pen, e cila është në qendër të gravitetit të këtij momenti kaotik.
Çfarë mendoni për zgjedhjen e François Bayrou si kryeministër i Francës?
Bayrou duhet të mos harrojë se nuk u emërua për të zhvilluar politikat e tij, por për të hartuar një buxhet, duke pasur parasysh kërkesat e 3 forcave politike kryesore në Asamblenë Kombëtare. Unë e di lidhjen që ka me demokracinë. Ai ka synime pozitive, por ne do të presim dhe shohim se çfarë përmban buxheti. Nëse do jetë i ngjashëm me atë të Barnier, të njëjtat shkaqe do të prodhojnë të njëjtat efekte.
A do të paraqisni një mocion mosbesimi kundër qeverisë Bayrou, nëse ajo nuk do të pranojë të njëjtat kërkesa nga ju?
Po. Sepse ne jemi vendi me barrën tatimore më të lartë në botë. Dhe njerëzit pyesin se ku shkojnë paratë e tyre. Problemi nuk është se francezët i refuzojnë taksat, por mënyra se si shpërdorohen paratë e tyre. Ne s’mund të rrisim taksat në një kohë kur njerëzit nuk munden të paguajnë dot faturat e energjisë elektrike. Dhe për ta bërë këtë, është thelbësore të adresohet ana tjetër e problemit: shpenzimet e tepërta të shtetit.
Partia juaj, e cila aspiron të qeverisë një ditë, ka krijuar destabilitet…
Nëse ka destabilitet, faji është vetëm i Macron. Në 7 vjet, ai ka krijuar borxh 1 trilion euro, dhe kjo e ka vështirësuar situatën në vend. Shpërndau parlamentin, duke menduar se do të fitonte zgjedhjet dhe humbi. Tani sapo ka emëruar një kryeministër, por në realitet ky i fundit ka emëruar veten. Ne nuk jemi këtu për të destabilizuar, por për të ndryshuar politikat e imponuara ndaj popullit francez. Dhe nuk kemi frikë të përdorim instrumentet që na ofron Kushtetuta për të zbatuar vullnetin e 11 milionë zgjedhësve tanë.
A duhet të japë dorëheqja Macron?
Unë nuk kam ndërmend t’i them se çfarë të bëjë. Nëse në një moment e gjen veten të bllokuar nga kufijtë e Kushtetutës franceze, i takon atij të marrë një vendim.
Ju mbeteni ende një euroskeptike…
Jam shumë euroskeptike. Unë nuk jam kundër Evropës, por e konsideroj si antidemokratike, antikombëtare dhe krejtësisht në kundërshtim me sovranitetin e kombeve mënyrën se si funksionon aktualisht BE-ja. Kur një vend nuk mund të mbrojë më interesat e tij jetike, nuk besoj se kjo është demokraci.
Duket që ju do të përpiqeni ta detyroni Macron të japë dorëheqjen përpara datës 30 mars, kur pritet vendimi në gjyqin ku ju akuzoheni për keqpërdorim të fondeve evropiane, dhe që mund t’ju ndalojë të mbani poste zyrtare…
Kjo është absurde, dhe një pikëpamje konspirative mbi realitetin.
A e prisnit kërkesën e prokurorisë: 5 vjet burg dhe ndalim për 5 vite të mbajtjes së posteve publike?
Askush nuk e priste një sulm kaq të dhunshëm dhe të padrejtë. Edhe Jean-Luc Mélenchon, (udhëheqësi i të majtës La France Insoumise), e konsideroi një lloj inkuizicioni të papranueshëm. Disa gjyqtarë mendojnë se kanë të drejtë të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhje. Por akoma nuk është dhënë dënimi, dhe nuk besoj se do të guxojnë të shkojnë në ekstreme të tilla. Nëse gjyqtarët do të vendosnin të ndiqnin rekomandimet e prokurorisë, do të përballeshim me një konflikt legjitimiteti.
Kjo tingëllon si një thirrje për revoltë…
Aspak. Por imagjinoni: Unë kam qenë 3 herë kandidate për presidente, kam dalë 2 herë e dyta, dhe sondazhet tregojnë se mund të fitoj zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Megjithatë, 3 gjyqtarë mund të më pengojnë të garoj, edhe nëse më votojnë 50 për qind e francezëve?
Çfarë mendoni për planin e Georgia Meloonit për të ngritur qendra të dëbimit jashtë kufijve të BE-së?
Unë nuk mendoj se kjo është zgjidhje. Ne duhet të zbatojmë një politikë parandaluese. Ajo që po ndodh në Evropë është çmenduri: pranim i emigrantëve dhe më pas diskutohet si t’i menaxhojmë. Rastet e azilit duhet të trajtohen në konsullatat dhe ambasadat e huaja. Askush nuk duhet të jetë në gjendje të hyjë në Evropë pa autorizimin e duhur. Ne duhet të anulojmë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ta kufizojmë atë brenda zonës Shengen për shtetasit e vendeve Shengen.
A po i referoheni kufizimit të lëvizjes së lirë vetëm për personat nga vendet e BE-së?
Po. Nëse një vend pranon 1 milion emigrantë, ky është problemi i tij. Vendimi i tij nuk mund të shkaktojë probleme për të tjerët. Në fakt, kjo është ajo që po ndodh sot me Shengenin.
A do të vazhdonit të dërgoni armë në Ukrainë?
Kjo luftë do të përfundojë. E kam thënë që në fillim, Ukraina s’mund ta fitonte këtë konflikt. Ne e nxitëm të vazhdojë një luftë që u kthye në një masakër të vërtetë të ushtarëve dhe civilëve. Mënyra e vetme që Ukraina të fitonte ishte ndërhyrja e NATO-s, por kjo do të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore. Unë mendoj se Donald Trump do të ulë Putinin dhe Zelensky në tryezë, dhe do të ketë një zgjidhje diplomatike.
Pra ju duket si lajm i mirë rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë?
Ndoshta po, po të isha amerikane. Por ne evropianët do t’i vuajmë pasojat e mbrojtjes së interesave të vendit të tij. Nuk mund ta fajësoj për këtë, por e di që mund të bien ndesh me ato të Francës, e cila nuk ka as kontroll mbi politikën e saj tregtare, dhe varet nga BE-ja për të mbrojtur interesat e saj ekonomike./ Përshtati “Pamfleti” nga “El Pais”