75 Mall Live Search
18:46 / E Mërkurë, 18 Shkurt 2026 / S Z

Mark Zuckerberg dëshmon në gjyqin për varësinë nga rrjetet sociale tek fëmijët

Mark Zuckerberg, bashkëthemeluesi i Facebook dhe drejtori i Meta Platforms, mbërriti të mërkurën në një gjykatë në Kaliforni, ku pritet të dëshmojë në një rast historik ligjor mbi varësinë nga rrjetet sociale tek fëmijët.

Ky do të jetë shfaqja e parë e Zuckerberg përpara një jurie pas viteve të kritikave ndaj kompanisë së tij, e cila zotëron edhe Instagram dhe WhatsApp.

Avokatët e Meta kanë argumentuar se paditësja kryesore e këtij rasti, e njohur me inicialet K.G.M., është dëmtuar nga faktorë të tjerë në jetën e saj dhe jo nga përdorimi i Instagramit.

Gjyqi në Los Angeles, ku si i paditur figuron edhe YouTube i Google, po ndiqet me vëmendje për implikimet që mund të ketë për mijëra padi të ngjashme ndaj gjigantëve të rrjeteve sociale. TikTok dhe Snapchat, që gjithashtu ishin pjesë e padisë, arritën marrëveshje para se të fillonte gjyqi, pa bëre publike kushtet e tyre.

Avokatët e K.G.M., e cila filloi të përdorte Instagram dhe YouTube që si fëmijë, akuzojnë firmat e rrjeteve sociale se kanë punuar për të varësuar përdoruesit e rinj, pavarësisht se kanë qenë të vetëdijshëm për rreziqet për shëndetin mendor.

Zuckerberg pritet të përballet me pyetje mbi mënyrën se si është dizajnuar Instagram dhe ndryshimet që kompania ka bërë për të mbajtur përdoruesit të angazhuar. Modeli i biznesit i Meta, i bazuar tek reklamat dhe kohëzgjatja e përdorimit të platformave, pritet gjithashtu të jetë në fokus.

Në sallën e gjyqit ishin edhe prindër që kanë humbur fëmijë, të cilët ndoqën me vëmendje procesin, raporton BBC.

Së fundmi, drejtori i Instagram, Adam Mosseri, në pyetjet e fundit sfidoi idenë e varësisë nga rrjetet sociale, duke argumentuar se edhe 16 orë përdorim i Instagramit në një ditë nuk tregon domosdoshmërisht varësi.

Gjyqi pritet të zgjasë disa javë dhe do të përfshijë dëshmi nga ish-punonjës të Meta, të cilët kanë folur më pas publikisht për praktikat e kompanisë.

Raste të ngjashme janë ngritur nga familje, prokurorë shtetërorë dhe drejtorë shkollash në SHBA, ku paditësit akuzojnë platforma si Meta, TikTok, Snapchat dhe YouTube për funksionim në mënyrë të varësisë që ka dëm të konsiderueshëm tek fëmijët.

Në një rast tjetër, 29 prokurorë shtetërorë po kërkojnë nga një gjykatë federale në Kaliforni që të urdhërojë menjëherë disa ndryshime, përfshirë fshirjen e të gjitha llogarive të përdoruesve nën moshën 13 vjeç.

Një trend i ngjashëm po ndjeket në disa vende: Australia ka ndaluar llogaritë në rrjete sociale për personat nën 16 vjeç, ndërsa Britania, Danimarka, Franca dhe Spanja po shqyrtojnë masa të ngjashme.