Marka e Kim-it po synon dominim global

Çdo pak minuta, një nga mijëra kalimtarët që shëtisin përgjatë Fifth Avenue ndalet në këndin e Rrugës së 52-të, i mahnitur nga pamja befasuese e një statuje nudo 4.5 metra të lartë që ngrihet nga brenda vitrinës së dyqanit Skims.

Skulptura monumentale, vepër e artistës së njohur Vanessa Beecroft, është vendosur në mënyrë të spikatur brenda dyqanit dhe tashmë është kthyer në një simbol vizual të fuqishëm të markës së veshjeve modeluese Skims, e themeluar nga Kim Kardashian dhe Jens Grede në vitin 2019.
Një version pak më i vogël i saj ndodhet edhe në dyqanin e Skims në Los Angeles.
Skims ka arritur të tërheqë me lehtësi turma klientësh falë dizajnit tërheqës dhe strategjive inovative të paraqitjes së produktit.
Por, sipas Jens Grede, CEO i kompanisë, qëllimi është më i thellë sesa thjesht tërheqja vizuale.
Në një intervistë për The Business of Fashion, ai thekson se dyqanet janë menduar për të ofruar një përvojë të plotë marke dhe jo vetëm një pikë shitjeje.
Grede vëren se rruga që po ndjek Skims ngjan me atë të markave të tjera të njohura si Alo Yoga dhe Vuori, të cilat nga fillimi si marka dixhitale kanë kaluar në hapjen e rreth 100 dyqaneve secila.
Ai shprehet optimist për të ardhmen e Skims, teksa parashikohet që shitjet vjetore të kalojnë 1 miliard dollarë.
Në horizontin afatgjatë, ambiciet janë edhe më të mëdha.
Skims, marka e veshjeve modeluese që u themelua në vitin 2019, po përgatitet për një zgjerim masiv ndërkombëtar, duke kaluar nga epoka e shitjeve online në praninë fizike me dyqane prestigjioze në qytete kryesore të botës.
Në vitin 2024, kompania do të hapë dyqanin e saj të parë flagshipe prej 5 000 ft² (rreth 465 m²) në West Hollywood, Los Angeles, i ndjekur nga një tjetër në New York.
Grede e përshkruan këtë fazë si “kapitullin e dytë”, një kalim strategjik nga roli dixhital në një prezencë globale fizike.
Ndërveprimet spontane dhe bashkëpunimet në Londër, Paris dhe Hong Kong kanë shërbyer si teste para zgjerimit të planifikuar në tregjet amerikane si Dallas, Atlanta dhe Miami – dhe më tej në tregje ndërkombëtare.
Duke nisur si markë D2C (direct-to-consumer), Skims ka ndërtuar më pas partneritete me dyqane luksoze si Nordstrom, Saks Fifth Avenue dhe Selfridges.
Sot, Skims ka një vlerësim prej mbi 4 miliardë dollarë, ndërsa shitjet vjetore neto kapin rreth 1 miliard dollarë.
Strategjia e re e zgjerimit përfshin dy qasje: dyqane të përhershme si pjesë e një pranie të drejtpërdrejtë në treg, dhe ekspansion të strukturuar në tregje ndërkombëtare kyçe.
Me kombinimin e artit bashkëkohor, estetikës luksoze dhe një qasjeje të thelluar ndaj përvojës së klientit, Skims nuk po shitet më thjesht si shapewear – por po pozicionohet si një fenomen global mode dhe jetese.
Ambicia është e qartë: të ndërtohet një rrjet ndërkombëtar dyqanesh që rivalizon markat ikonë si Apple apo Nike.
Skims, nga një markë e nisur online, është në rrugë për të riformuluar standardet e industrisë së modës.
Dhe çdo ndalesë në një dyqan Skims nuk është thjesht blerje — por një përjetim më vete. /Prive By Liberta Spahiu
