“Marre, po bëjnë hajgare me punëtorët”, protestojnë punëtorët e kompanisë sigurimit “Skifterat”
Punëtorët e kompanisë së sigurimit “Skifterat” më shumë se tre muaj nuk kanë marrë pagën e tyre e për të cilën u detyruan të dalin dhe të protestojnë para Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Muharrem Jonuzit i është thënë se pagat nuk po dalin si shkak i bllokimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës e për çka ai tha për Ekonomia Online se kjo është e pakuptimtë sesi vetëm ata pësuan nga ky bllokim.
Jonuzi që nuk e ndalën as reshjet e mëdha të shiut tha se kjo që po bëhet me punëtorët është për marre.
“Që tre muaj e gjysmë nuk jemi duke marrë rrogat. Hajt sot, hajt nesër, hajt të hënën, hajt të premten e tash s’po kemi qare pa dalë në protesta. Herë thonin se Qeveria nuk po jep pare, kam fol me kryetarin e Komunës së Prishtinës, tha Qeveria i ka bllokuar rrogat, 55 milionë. I thash a veç neve na kanë bllokua, e këta tjerët. Po bëjnë hajgare me ne punëtorët, marre. Marri”, tha ai.
Jonuzi ka thënë se pa marrë pagat nuk kthehen në punë, ku tregoi edhe se është në borxhe.
“Le të na japin pagat dhe kthehemi, se pa paga nuk kthehemi. Një mijë e më shumë euro i kam borxh”, tregoi Jonuzi.

