15:11 / E Martë, 23 Shkurt 2021 / Blerim

Marrëdhënia me Klitschkon, kundërshtari i radhës/ Flet për IndeksOnline Toni Kraft

Boksieri shqiptar Safet Avdimetaj i njohur si Toni Kraft u rikthye në ring gjatë ditës së shtunë më 20 shkurt. Ai boksoi me Rostam Ibrahimin, meç i cili u mbyll me barazim. Krafti u rikthye në ring pas më shumë se një viti. Atë dhe boksierë të tjerë i dëmtoi shumë pandemia Covid-19.

Gjatë një interviste për IndeksOnlinen, Krafti foli për kthimin në ring dhe për meçin që gjyqtarët e cilësuan si barazim.

“Qëllimet e mia që dua me i arrit, më kanë dhanë shpresë dhe forcë në stërvitje. Kam stërvitur me vëllain tim së bashku. Kjo është një shtyllë e madhe, pasi është një ndihmë e madhe me pas dikë që të ndihmon në të njëjtin profesion. Pas komenteve të eksperteve të boksit dhe televizionit gjerman nuk ka qenë i saktë. Por kur e japim vendimin ata që janë për këtë fushë, atëherë s’kemi çka të shtojmë. Unë e bëj punën time. Por vendime të tilla kanë ndodhur në shumë meçe të tjera”, ka thënë për IndeksOnline Toni Kraft.

Ibrahimi është ishte kundërshtari i Kraftit. Ai është pjesë e ekipit ku stërvitet boksieri shqiptar me prejardhje nga Strellci i Deçanit. Ai shpreson që së shpejti të arrihet edhe marrëveshja për “rematch”, madje muaji prill shihet si mundësi e artë për një luftë të tillë.

“Jam duke kërkuar një ‘rematch’ dhe shpresoj shumë që ta pranoj edhe kundërshtari. Kontratë s’ka pas, unë jam për rematch, shpresoj se edhe kundërshtari është po ashtu. Nëse pranon kundërshtari do të ndodh. Meçi i radhës ashtu siç po flitet mund të ndodhë në muajin e katërt, në prill. Ende s’është e sigurt, por shpresoj që do të ndodhë gjatë këtij muaji”, vazhdoi Krafti (Avdimetaj).

Kosova dhe Shqipëria janë adhurues të mëdhenj të boksit. Sidomos kur në ring shfaqet ndonjë boksier shqiptar. Se a do të ketë ndonjë luftë në Kosovë apo Shqipëri, tregon Toni: “Në Kosovë apo Shqipëri, koftë kismet qëllimin e kemi për t’u rrahur. Me gjithë qef dhe me gjithë zemër. Ne ushtrojmë me Haxhi Krasniqin dhe vllaun e tij. Ne kalojmë shumë mirë së bashku dhe ma merr mendja që do organizojmë herdo-kurdo diçka bashkë. Interesimi i shqiptarëve është shumë i madh dhe shpresoj që ta bëjmë një boks të përbashkët në Kosovë.”

Në këtë intervistë për IndeksOnlinen, Toni Kraft tregon arsyen pse në media njihen me emër dhe mbiemër ndryshe dhe jo me emër të vërtetë (Safet dhe Musa Avdimetaj).

“Për popullin shqiptarë dhe kosovarë ne do të mbetemi gjithë Safet dhe Musa (James) Avdimetaj nga Strellci. Gjithë do mbesim me këto emra. Për mediat në Gjermani jemi Toni dhe James Kraft. Por kjo s’do të thotë që ne jemi ba gjerman, ose e harrojmë vendin tonë. Ne gjithë jetojmë për vendin tonë, luftojmë për vendin tonë. Pas meçit ne edhe vijmë në vendin tonë. Të gjitha këto janë për mediat në Gjermani”, shtoi boksieri shqiptar.

Shpesh në media kanë qarkulluar disa video, ku shihet boksieri dhe kampioni i botës, Wladimir Klitschko duke i uruar vëllezërit Kraft. Për marrëdhëniet midis Klitschkos dhe Kraftit, tregon shqiptari.

“Me Klitschkon kemi kontakte. Kemi ushtruar bashkë, kemi qëndruar bashkë. Flasim përherë. Na ka ftuar edhe në stërvitje në Austri. Boksi nuk është shumë i madh dhe ne kontaktojmë me të gjithë. Na uron për ditëlindje.”, ka treguar për miqësinë mes ish-boksierit ukrainas dhe shqiptar.

Toni flet edhe për vëllain e tij, James Kraft – i cili gjatë ditës së shtunë arriti fitore me nokaut qysh në raundin e dytë.

“Jamesi ka shumë shumë talent në boks. Ne kurrë nuk krahasohemi se kush është më i mirë apo më i keq. Ne vetëm e mësojmë njëri-tjetrin se kush mund të bëjë diçka më mirë. Kështu bëhemi të dy më të fortë dhe i arritim qëllimet që i kemi në boks. Është mirë me e pas një vëlla që ka të njëjtin drejtim. Vetëm ai që është në boks e din që kjo rrugë është e vështirë.”, tregon për lidhjen e mirë që kanë dy vëllezërit.

Kush e inspiroi për boksin Toni Kraftin?

“Me të vërtetë mixha më ka inspiruar për boksin. Si fëmijë e kujtoj kur ai u stërvitke, aq shumë i fokusuar me sy të hapur e shikojsha sepse kisha dëshirë edhe unë. Dhe kështu kishte filluar dalë-ngadalë. Dhe tani jemi këtu, ku jemi”, ka thënë Kraft

Toni Kraft dhe Haxhi Krasniqi ushtrojnë së bashku, për këtë të fundit boksieri shqiptar ka një respekt tejet të veçantë. Si një kampion i botës, për Kraftin, Haxhi Krasniqi është një njeri shumë i qetë dhe i mrekullueshëm.

“Me Haxhin Krasniqin kemi raporte shumë të mira. E falënderoj për gjithçka çfarë ka bërë për ne. Ne edhe ushtrojmë bashkë. Ai ka arritur shumë dhe është shumë i qetë, për këtë ka shumë respekt. Kampion Bote dhe është shumë i qetë”, përfundoi Kraft.

/IndeksOnline/