Marrëveshja e detit, Greqia dhe Italia ndajnë zonat ekonomike, shmanget Shqipëria

Greqia dhe Italia rinovuan marrëveshjen e vitit 1977 për zonën ekskluzive ekonomike në Detin Jon, ndërsa tani është radha e Shqipërisë. Negociatat me Tiranën janë ndërprerë që kur në pushtet ishte qeveria Tsipras. Greqisë gjithashtu i duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Turqinë për kufirin detar.
Greqia dhe Italia nënshkruan marrëveshjen e kufirit detar që përcakton zonën ekskluzive ekonomike midis dy vendeve dhe i jep zgjidhje mosmarrëveshjes së gjatë të çështjes së të drejtave të peshkimit në Detin Jon.
Gazeta greke “Kathemerini” shkruan se pas Italisë, Athina pret të nënshkruajnë një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë dhe gjithashtu të zgjidhë një konflikt afatgjatë me Turqinë.
Në rastin e Shqipërisë negociatat janë ndërprerë që kur në pushtet ishte qeveria Tsipras ndërsa nuk ka një datë për rifillimin e tyre.
Marrëveshja midis Italisë dhe Greqisë u nënshkrua nga dy ministrat e Jashtëm, Nikos Dendias dhe Luigi Di Maio.
Një gjë e tillë vjen pas disa muaj tensioni në rajonin e Mesdheut Lindor, kur Turqia, Greqia dhe Qiproja janë përfshirë në një përplasje të fortë diplomatike.
Hollësitë e marrëveshjes, e cila zgjat afatin e asaj të vitit 1977 midis dy vende mbi shelfin kontinental në Detin Jon, nuk u publikuan menjëherë. Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias tha se marrëveshja konfirmon të drejtat e ishujve grekë në zonën detare dhe zgjidh çështjen e të drejtave të peshkimit.
“E sotmja është një ditë historike. Është e rëndësishme për zhvillimin, ashtu siç ishte dhe marrëveshja e vitit 1977,” tha kryediplomati grek Dendias.
“Ky është rezultat domethënës, që përveçse zgjidh marrëdhëniet detare me Italinë, kujdeset për të drejtat e peshkatarëve, respekton dhe mbikëqyr të drejtat sovrane të Greqisë,” tha ministri i Jashtëm italian dhe Luigi Di Maio.
Marrëveshja greko-italiane vjen disa muaj pas marrëveshjes së kufijve detarë të arritur nga Turqia dhe qeveria ndërkombëtarisht e njohur e Libisë e udhëhequr nga Fayez al-Sarraj. Ajo marrëveshje zemëroi Athinën. Nga ana tjetër, Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje që nga të drejtat minerale në Detin Egje e deri tek ndarja etnike e Qipros.
Italia dhe Greqia janë partnerë për ndërtimin e gazsjellësit EastMed që ka si objektiv për të transportuar 10 miliardë metra kub gaz nga Mesdheu Lindore në Greqi, Itali dhe në vende të tjera Europës Juglindore.