75 Mall Live Search
13:59 / E Premte, 24 Qershor 2022 / A. M.

Marrëveshja me Serbinë për energjinë, ZRRE-ja licencon “Elektroseverin” të operojë në veri

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sot ia ka dhënë lejen për operim në veri të vendit kompanisë “Drustvo Elektrosever”.

Në mbledhjen e bordit të ZRRE-së u tha se operimi i kësaj kompanie vlen për Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun për një periudhë pesëvjeçare.

Licencimi i “Elektroseverit”, u bë me pesë vota për dhe asnjë kundër.

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së bëri të ditur se kjo licencë ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara.

“Dua të precizoj komunat në veri të Kosovës, siç janë Mitrovica Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potoku, janë territori që mbulon kjo kompani janë këto katër komuna. Kjo licencë ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara. Këto katër komuna do të furnizohen me atë që ofron ky furnizues. Tarifat e rrjetit të transmisionit, tarifat e furnizuesit me shërbim universal, etj, do të jenë obligative dhe do të implementohen në gjithë territorin e Kosovës. Këto komuna kanë të drejtë të furnizohen me çmime të parregulluara nga furnizuesi Elektrosever”, ka thënë ai.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën Marrëveshjen për Energjinë.

Marrëveshja parashihte që ZRRE-ja t’i lëshojë licencën për furnizim Elektroseverit.

Pas kësaj, Elektroseveri do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

“ZRRE-ja do t’i lëshojë licencën për furnizim Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë zbatueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës”, thuhet në pikën e parë të Udhërrëfyesit.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së”, theksohet në pikën e radhës.

Kosova ishte pajtuar paraprakisht që t’i japë Elektroseverit leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb Petar Petkoviq e nënshkruan të martën Udhërrëfyesin për zbatim e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për energjinë.

Kjo kompani është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë që në nëntor të vitit 2018. Pronare e saj rezulton të jetë shteti serb.

Nga të dhënat e ARBK-së, kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike JP Elektroprivreda Srbije, posedon 100 për qind të aksioneve të Drustvo Elektrosever, ku Boban Novakoviq është i regjistruar si drejtor i kësaj kompanie, që si aktivitet primar e ka tregtinë e energjisë elektrike.