Marrëveshja për 5G në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiqit i shkojnë kinezët në zyrë

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. E një ndër pikat e marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka të bëjë me pajtimin e palëve që ta ndalojnë përdorimin e pajisjeve të dyshimta për 5G që lidhet me kompani kineze.
Si rezultat i kësaj, Vuçiqi mund të prishet me Kinën. Kjo për shkak se Serbia kishte nënshkruar një marrëveshje paraprakisht me kompaninë kineze “Huawei” në vitin 2017, që parashihte që Serbia të bashkëpunonte me Kinën në zhvillimin e internetit 5G.
Në marrëveshje thuhet se “të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë tashmë të pranishme, të dyja palët do të angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në mënyrën e duhur”.
E Vuçiqi sot ka pritur ambasadoren kuneze të cilën e ka njoftuar për marrëveshjen në Washington dhe bisedimet në Bruksel, ka njoftuar Presidenca serbe.
Vuçiqi i ka cuar përshëndetje presidentit të Kinës të cilin e ka falënderuar që nuk e njeh Kosovën. Ndërkohë që ambasadorja kineze ka thënë se Kina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj karshi Kosovës dhe se do ta mbështesë Serbinë në arenën ndërkombëtare për këtë çështje.
Në njoftim nuk janë dhënë detaje për marrëveshjen 5G, por thuhet se Serbia i ka premtuar Kinës vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e telekomunikacionit.