Marrëveshja tregtare SHBA–Britani hyn në fuqi: Ulen tarifat për makinat

Marrëveshja tregtare e nënshkruar midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe kryeministrit Britanik Keir Starmer, e cila ul disa tarifa për importet nga Britania, ka hyrë në fuqi, tha Qeveria britanike të hënën.
Sipas marrëveshjes, prodhuesit britanikë të makinave do të përfitojnë nga një kuotë e re eksporti me tarifë të reduktuar 10%, nga 27.5% që ishte më parë.
Po ashtu, tarifat aktuale 10% për motorët dhe pjesët e avionëve janë hequr plotësisht, duke rritur konkurrueshmërinë e industrisë ajrore britanike në tregun amerikan.
“Kjo është një fitore për eksportuesit britanikë dhe një sinjal i qartë për përmirësimin e marrëdhënieve tona tregtare me SHBA-në,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Megjithatë, sfida mbetet për sektorin e çelikut dhe aluminit. Britania është përkohësisht e përjashtuar nga tarifat deri në 50% që SHBA-ja vendosi për vendet e tjera në fillim të këtij muaji, por rrezikon përfshirjen në këto masa duke filluar nga data 9 korrik nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare.
“Ne do të vazhdojmë të shkojmë më tej dhe të bëjmë përparim drejt tarifave 0% për produktet kryesore të çelikut, siç është rënë dakord”, shtoi Qeveria britanike./Indeksonline/