75 Mall Live Search
18:46 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / MSH1

Marrëveshje dhjetëra milionëshe/ Cilat masa i hoqi BE-ja?

Bashkimi Evropian ka vendosur që pjesërisht të heq disa prej masave ndaj Republikës së Kosovës.

Nëpërmjet një letre të dërguar në adresën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, njoftoi heqjen e disa masave që i japin dritën e gjelbër investimeve në vlerë milionëshe, shkruan IndeksOnline.

“Në muajin maj, ne filluam heqjen e disa masave të BE-së pas përpjekjeve për të ulur tensionet në veri. Kohët e fundit, kemi përshëndetur transferimin paqësor dhe të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve lokale, si dhe largimin e policisë nga objektet komunale.

Bazuar në sa më sipër dhe në përputhje me Komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare” u shpreh Koopman.

Me këtë rast, ai ftoi Kosovën që sa më shpejt të dorëzojë propozimin e saj, lidhur me financimin IPA 2026-2027.

Në letër është bërë e ditur se masat që u hoqën i përkasin një pakete prioritare kontratash, që në thelb përfshijnë katër projekte të mëdha.

Automatikisht është autorizuar lidhja e kontratave për impiantin e ngrohjes qendrore të Prishtinës, në vlerë prej 17 milionë e 600 mijë eurove.

Kjo ishte nja marrëveshje kontributi me Bankën Evropiane të Invesitmeve, në kuadër të IPA-s, raporton IndeksOnline.

12 milionë euro është vlera e marrëveshjes për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B, e dakorduar në marrëveshje me Zyrën e OKB-së, për Shërbime të Projekteve.

Tre milionë euro është marrëveshja e radhës për skemën “Young Cell”, që përfshin përfitim direkt të granteve, nga Universitet i Selanikut.

Ndërkaq, 2 milionë euro është marrëveshja për mbështetjen për kompaninë e menaxhimit të deponive të Kosovës, e kontraktuar me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, në shenjë përgjigjeje ndaj tensioneve në veri të vendit./IndeksOnline/