13:55 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Marrëveshje për sigurim të pandërprerë me energji elektrike më 22 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) nënshkruan memorandum bashkëpunimi.

Përmes këtij dokumenti, përcaktohen kushtet dhe mënyra e bashkëpunimit lidhur me furnizim me energji elektrike për nevoja të KQZ-së, gjatë procesit të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit 2017.

Në emër të KQZ-së, memorandumin e nënshkroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka kurse në emër të KEDS-it firmosi drejtori i Përgjithshëm, George Karagutoff.

Daka tha se ky memorandum u nënshkrua që më 22 tetor të ketë energji elektrike në çdo qendër votimi dhe në objekte tjera të nevojshme për KQZ-në.

Ndërkaq, Karagutoff u shpreh se përmes ekipeve do të monitorojnë gjendjen në ditën e zgjedhjeve për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike.

Sipas këtij memorandumi, KQZ-ja do t’i sigurojë KEDS-it listën e specifikuar të të gjitha objekteve, përfshirë adresat e sakta të qendrave të votimit me qëllim të furnizimit pandërprerë me energji elektrike. /AktivPress