06:44 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Marrëveshjet me Serbinë, veç në letër

Kosova po vazhdon ta neglizhojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut me Serbinë.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët theksojnë se të dyja palët janë fajtore për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Ata thonë se Kosova, përveçse ka nënshkruar marrëveshje që nuk janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, po kontribuon në ngecjen e tyre, duke mos shprehur interesim për t’i zbatuar plotësisht ato.

Ndërkohë, numri i marrëveshjeve të nënshkruara, të cilat kanë mbetur vetëm në sirtar, është mjaft i madh.

Njëra ndër to, për të cilën Kosova është ajo që ka ngecur në zbatimin e saj, është Marrëveshja për Reciprocitet të Targave me Serbinë, meqë nuk ka arritur t’i sigurojë letërngjitëset, transmeton zeri.info.

Kjo Marrëveshje është dashur ta nisë zbatimin qysh para një viti, gjegjësisht më 15 nëntor 2016. Pos kësaj, është edhe Marrëveshja për Kadastrat, e cila nuk është zbatuar nga pala serbe, Marrëveshja për Diplomat, e cila u arrit që nga viti 2011 dhe kurrë nuk është zbatuar nga Serbia, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, zhbërja e strukturave paralele e komunale në veri, Marrëveshja për Energjinë, e cila është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet.

Ndërkaq për shtyrjen përpara të këtyre marrëveshjeve drejt zbatimit njohësit e çështjeve politike kanë kërkuar vëzhgim rigoroz nga BE-ja.