Marrin fund spekulimet, Modric pjesë e Kroacisë për ndeshjet e UEFA Nations League

Zlatko Dalic ka ftuar Luka Modric në skuadrën prej 24 lojtarësh të Kroacisë për ndeshjet e tyre të ardhshme në UEFA Nations League, muajin e ardhshëm.
Modric, i cili ka 178 paraqitje për kombin e tij, është zgjedhur së bashku me dyshen e Manchester City, Josko Gvardiol dhe Mateo Kovacic për t’u përballur me Portugalinë dhe Poloninë.
Pas daljes së tyre në fazën e grupeve në Euro 2024, pati spekulime nëse mesfushori 39-vjeçar do të vazhdonte të luante për kombëtaren, shkruan IndeksOnline.
Domagoj Vida dhe Marcelo Brozovic, të cilët luajtën së bashku me Modric në turnetë e fundit të mëdhenj, njoftuan tërheqjen e tyre nga futbolli ndërkombëtar pas Kampionatit Evropian.
Por Dalic konfirmoi se mesfushori i Real Madrid është në planet e tij për ndeshjet e tyre muajin e ardhshëm, pasi ata kërkojnë kualifikimin për Kupën e Botës 2026.
“Liga e Kombeve do të jetë një platformë e mirë për ne, për të krijuar një ekip që do të fillojë kualifikimet për Kupën e Botës 2026 vitin e ardhshëm,” tha trajneri Dalic.
“Krahasuar me Euron e këtij viti, ne humbëm dy senatorë, Vida dhe Brozovic, por të gjithë jemi të lumtur që kapiteni është ende me ne – Luka është forca jonë e madhe brenda dhe jashtë fushës”.
Goli i Modric kundër Italisë në Euro 2024 e bëri atë lojtarin më të vjetër që ka shënuar ndonjëherë në finale në moshën 38 vjeç e 289 ditë.
Ish-fituesi i Topit të Artë është paraqitur në të dyja ndeshjet e Los Blancos këtë sezon, duke hyrë si zëvendësues në të dyja. /IndeksOnline/