22:02 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Marrja e patentë shoferit me para, arsyeja kryesore e shoferëve problematik!

Ministria e Infrastrukturës (MI) po përgatit një vendim të ri ku të gjithë shoferët që përsërisin kundërvajtjet në trafik do t’i nënshtrohen edhe një herë testimit për patentë shofer. Kësisoj, pa përjashtuar vozitës e profesionistë me këtë vendim nuk do të shpëtojnë asnjëri pa u futur në ritestim.

Mirëpo, një gjë e tillë po kundërshtohet nga ekspertë të komunikacionit rrugor.

Njëri prej tyre në kushte anonimiteti për Indeksonline ka thënë se përderisa përdoret korrupsioni në dhënien e patentë shoferit në Kosovë atëherë edhe ritestimi është pa efekt në këtë drejtim.

Sipas tij, ata persona që bëhen me patentë shofer përmes ryshfetit edhe procesin e ritestimit e kalojnë në të njëjtën mënyrë.

“Mendoj se kjo çështje nuk është diçka që vjen krejt rastësisht. Por këtu krejt kryesore është kur e marrin patentën për herë të parë, një pjesë e madhe nuk e marrin me meritë por me ryshfet, e po të njëjtit njerëz janë të papërgjegjshëm në vozitje pasiqë nuk i din rregullat e komunikacionit dhe pastaj shkaktojnë aksidente në komunikacion, pra ata munden me u ritestu 10 herë por nuk mund të ketë efekt përderisa aty ka korrupsion dhe patenti merret pa meritë”, ka thënë eksperti i komunikacionit që ka dashur të mbetet anonim.

Ai ka shtuar se nëse ritestohen këta njerëz atëherë masat duhet me qenë shumë më të rrepta.

“Nëse një person e kalon me ryshfet testin edhe është më i papërgjegjshëm pasiqë nuk është lodhur për të mësuar testin ose vozitje po edhe pikërisht ai person që e merr patentën me pare nuk brengoset më shumë se veç i ka lidhjet me marr apet edhe nëse i njëjti ritestohet prapë”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka sqaruar për opinionin lidhur me vendimin në fjalë.

“Për të gjithë personat, qofshin shoferë të rinj, fillestarë ose profesionistë, parashihet rivlerësimi i njohurive të trafikut përmes trajnimit shtesë dhe nënshtrimit të testit përkatës, për të cilët me vendim të gjykatës kompetente u është revokuar patenta e shoferit. Këto praktika zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian, janë të parapara me ligjet tona dhe do të fillojnë të aplikohen edhe në vendin tonë, por për të gjitha këto me kohë do të njoftohet opinioni i gjerë”, është shprehur Lekaj.

I pari i MI-së ka theksuar se ritestimit do t’i nënshtrohen të gjithë shoferët që në vazhdimësi përsërisin kundërvajtjet në trafik./Indeksonline/