Martohet Princesha e Lihtenshtajnit, Marie Caroline

Një nga ngjarjet më të komentuara në botën aristokratike europiane këtë fundjavë ishte martesa e princeshës Marie Caroline të Lihtenshtajnit me menaxherin e investimeve Leopold Maduro Vollmer. Ceremonia u zhvillua të shtunën në Katedralen e Shën Florianit në Vaduz, duke tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane dhe europiane.
Princesha 27-vjeçare, mbesa e Princit Hans-Adam II, u përshkrua nga tabloidi zviceran Blick si “princesha më e pasur e Evropës”, falë pasurisë së konsiderueshme të familjes mbretërore të Lihtenshtajnit. Në një atmosferë solemne e madhështore, ajo kurorëzoi dashurinë e saj me 34-vjeçarin Vollmer, një profesionist i financave me origjinë nga Venezuela. Pas ceremonisë fetare, festimi vazhdoi në një pritje luksoze në rezidencën e familjes princërore, duke mbledhur të ftuar të shumtë nga bota e aristokracisë dhe e biznesit.
Shtëpia mbretërore e Lihtenshtajnit konsiderohet një nga më të pasurat në Evropë, me pasuri të trashëguara ndër shekuj që përfshijnë prona të gjera, pylltari dhe aksione në institucione bankare. Principata e vogël, e vendosur në zemër të Alpeve, shtrihet në vetëm 160 kilometra katrorë dhe ka një popullsi prej rreth 40 mijë banorësh. Megjithëse një shtet i vogël, Lihtenshtajni ka një profil të lartë ndërkombëtar falë pasurisë dhe rolit të familjes princërore në ruajtjen e traditave aristokratike.
Martesa e princeshës Marie Caroline përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për familjen mbretërore, por edhe për opinionin publik që ndjek me kuriozitet jetën e aristokracisë europiane.