19:05 / E Martë, 22 Tetor 2019

Masa të ashpra dënimi për prodhuesit dhe përdoruesit e qeseve plastike në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim disa amendamente në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve që parashikon shtrëngime administrative për importuesit, prodhuesit dhe përdoruesit e qeseve plastike.

Në një prej amendamenteve thuhet: Çdo person, që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme dënohet me gjobë prej 1 milion deri në 1 milion e gjysmë lekë.

Çdo person që përdor në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme dënohet me gjobë, në vlerën nga 30.000 deri në 100.000 lekë.

Projektligji parashikon dispozita kalimtare për afatin e nxjerrjes jashtë qarkullimit të qeseve plastike deri në datën 1 shkurt 2020/1 qershor 2020.

Mbetet e paqartë sesi do të aplikohen këto gjoba ndaj njerëzve në rrugë, përderisa nevojitet një kohë për t’i nxjerrë nga qarkullimi.