Masakër mjedisore në Prevallë, në sy të shtetit priten me dhjetëra lisa qindra vjeçar

Gjatë ditës së djeshme në qendrën turistike në Prevallë të Prizrenit janë prerë me dhjetëra lisa të ahut, jo më larg se disa metra nga magjistralja Prizren-Shterpcë.
Në fotografitë dhe videot e siguruara nga Indeksonline shihen disa persona duke i prerë pamëshirshëm lisa të trashë deri në një metër në Prevallë.
Prevalla është pjesë e parkut nacional të Sharrit ku prerja dhe dëmtimi i pyjeve është i ndaluar rreptësishtë me ligj.
Sipas burimeve të Indeksonline këto pyje po priten për t’i hap rrugë një ndërtimi të vrazhdë.
Të gjithë lisat qindravjeçar në atë zonë janë prerë tashmë dhe gjatë ditës së sotme janë parë makineri të rënda duke gërmuar terrenin duke e shkatërruar tërësisht ambientin.
Një dëshmitar tregon për Indeksonline se disa turistë dje i kanë lajmëruar organet shtetërore dhe aty kanë shkuar inspektorët e Komunës së Prizrenit dhe rojet e pyllit mirëpo ata nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta parandaluar këtë masakër mjedisore./Indeksonline/




